Njoftim për shtyp, datë 06 Mars 2023
Sot, në datën 06.03.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqim, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të magjistratëve z. Taulant Banushi; znj. Ejona Lazellari; znj. Adelajda Gjuzi; z. Edvan Veçani; znj. Enkeleda Dalipi dhe znj. Esmeralda Çeka.
Më tej, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqim, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, të magjistratëve z. Olti Skrame dhe z. Shkëlzen Liçaj.
Pas përfundimit të procedurës të verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatit për magjistrat, profili gjyqtar, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2021-2022, Këshilli vendosi emërimin e z. Albert Keraj si gjyqtar.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli vendosi ndryshimin e pikës 1 të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 280, datë 10.12.2019, “Për caktimin e gjyqtarëve për mediat”, si më poshtë:
• Znj. Edlira Petri – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm;
• Znj. Migena Laska – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
• Z. Elton Frashëri – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan;
• Z. Ervin Sulaj – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë;
• Znj. Ardiola Çela – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat;
• Z. Gjergji Baçi – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër;
• Z. Alban Veçani – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë;
• Znj. Emirjana Dimo – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë;
• Z. Alfred Konomi – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier;
• Znj. Besjana Garxenaj – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës;
• Znj. Eva Hysko – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë;
• Znj. Suada Kurti – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës;
• Z. Ardit Kuka – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër;
• Z. Besmir Stroka – në pozicionin e gjyqtarit për median pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër;
• Znj. Blerona Hasa – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës Administrative të Apelit;
• Znj. Saida Dollani – në pozicionin e gjyqtares për median pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli vendosi kualifikimin e z. Gentjan Sallahu, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2022-2023.
Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe të caktojë seancën e radhës në datën 05.04.2023, ora 11:00.
Këshilli miratoi një ndryshim në vendimin e tij nr. 252, datë 07.07.2022, në lidhje me listën e gjyqtarëve udhëheqës gjatë praktikës profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, viti akademik 2022-2023.
Në vijim, Këshilli vendosi caktimin e z. Ridvan Hado si relator për zhvillimin e procedimit disiplinor nr. 1/2023 dhe procedimit nr. 2/2023 të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.