DEKLARATË PËR SHTYP
Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka vlerësuar dhe vlerëson rolin dhe qëndrimin kritik të çdo subjekti publik apo privat, e në veçanti të medias së shkruar dhe audiovizive, që kontribuon në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor. Kohët e fundit, me keqardhje, konstaton një rritje të pajustifikuar të disa qëndrimeve apo deklaratave me impakt të dukshëm në formimin e opinionit publik, të cilat përveç se shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht kryerjen e funksioneve ligjore nga ana e tyre.
Rasti i radhës i referohet disa shkrimeve që qarkullojnë në disa media të shkruara online, me autorësi të gazetarit z. Elton Qyno, të shoqëruara me përmbajtje dhe etiketime fyese e denigruese, të cilat synojnë dukshëm dëmtimin e figurës dhe dinjitetit të znj. Etleva Deda, në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Mediat e shkruara dhe audiovizive, si dhe gazetarët në veçanti, në rastin e raportimeve të çështjeve gjyqësore duhet t’i sigurojnë opinionit publik një raportim të saktë, të drejtë, joparagjykues duke patur në konsideratë kufizimet e imponuara nga pavarësia, autoriteti, paanësia e pushtetit gjyqësor si dhe mbrojtja e reputacionit të gjyqtarit, në mbështetje të etikës së gazetarisë. Referuar rastit konkret, Këshilli sërish konstaton jo vetëm mungesën e përkujdesjes së duhur dhe profesionalizmit në referimin e rastit, por dhe mungesën e qëllimit të mirë në trajtimin dhe pasqyrimin e tij nga ana e gazetarit, e redaksive apo operatorëve të faqeve online, në kundërshtim të hapur me parimet bazë që ofrojnë garancitë e duhura për një gazetari cilësore, etike dhe të përgjegjshme.
Këshilli vlerëson se shkrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit.
Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.
Këshilli rithekson se, cilido që vjen në dijeni të veprimi apo sjelljeje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore, duhet t’ia referojë atë, sipas legjislacionit në fuqi, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe shpreh bindjen e tij se respektimi i gjyqtarëve dhe i funksionit e dinjitetit të tyre, sjell forcim të shtetit të së drejtës, si dhe rrit transparencën dhe përgjegjësinë e pushtetit gjyqësor.