Prezantimi i “Platformës së komunikimit elektronik midis Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe avokatëve”
Sot, më datë 07.10.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor në prani të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, avokatëve, partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave, u prezantua “Platforma e komunikimit elektronik midis Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe avokatëve”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Lenka Vitkova, Drejtuese Seksioni e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, znj. Jutta Gützkoë, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, z. Fatmir Braka, Zëvendëskryetar i Dhomës të Avokatisë si dhe përfaqësues të tjerë të grupeve të interesit.
Në fjalën e saj përshëndetëse znj. Naureda Llagami, falenderoi pjesëmarrësit duke shprehur se “kjo platformë synon rritjen e efikasitetit të menaxhimit të çështjeve në gjykata, mbështetjen e palëve të përfshira, veçantërisht të avokatëve që të kenë akses më të mirë dhe më të shpejtë në informacionin e “çështjes gjyqësore”, por njëkohësisht redukton kostot për thirrjet shkresore”.
Gjithashtu znj. Llagami theksoi se “të tilla instrumente do të jenë të domosdoshme veçanërisht, në kuadrin e zbatimit të “Hartës së Re Gjyqësore” duke shkurtuar virtualisht distancën mes gjykatës dhe qytetarit”.
Më tej, fjala i kaloi znj. Jutta Gützkoë, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë e cila deklaroi se “Kjo platformë do të ndihmojë edhe në përmirësimin e mbledhjes së statistikave nga gjykata si një indikator i rëndësishëm për një manaxhim më të mirë të gjykatave si dhe për zhvillimin apo implementimin e “Hartës së Re Gjyqësore” në Shqipëri”.
Në vazhdim të aktivitetit, z. Fatmir Braka, Zëvendëskryetar i Dhomës së Avokatisë dhe Kryetar i DHA Tiranë, velërësoi këtë projekt duke shprehur se “krijimi i kësaj platforme dhe aksesi elektronik i avokatëve në sistemin me informacione në kohë reale dhe për më tepër në një version “Mobile” do të shmangë zvarritjet e vështirësitë të cilat përcillen aktualisht në kushtet e njoftimit manual nëpërmjet shërbimit postar apo paraqitjes fizike në ambientet e gjykatës”.
Aktiviteti u shoqërua me një prezantim dhe simulim të përdorimit të platformës dhe u përmbyll me pyetje dhe diskutime nga të pranishmit në sallë.
Projekti pilot i mbështetur nga programi i përbashkët i BE-së dhe KE-së për “Forcimin e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri” (SEJIII), shënon një hap përpara drejt digjitalizimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.