Sot më datë 25 korrik 2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u organizua ceremonia e betimit të magjistratëve, profili “gjyqtar” të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022.
Sot më datë 25 korrik 2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u organizua ceremonia e betimit të magjistratëve, profili “gjyqtar” të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022.
23 gjyqtarët e rinj, të sapo emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i shtohen kështu korpusit të gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin në gjykatat e vendit.
Magjistratët e rinj si dhe personalitetet e pranishëm në këtë event publik, u përshëndetën nga Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami dhe nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Alfred Balla.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit, Znj. Naureda Llagami u shpreh se gjyqtarët që betohen sot janë brezi i tretë i gjyqtarëve të rinj të cilët i bashkohen gjykatave të vendit që prej fillimit të funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë.
Ajo vendosi theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi duke shprehur bindjen se shumë shpejt do ta fitojmë betejën me numrat e munguar në sistem si dhe frymën e re që në duam të sjellim në sistemin e drejtësisë.
Znj. Llagami uroi 23 magjistratët e rinj të betuar sot duke u rikujtuar se tashmë ata janë fytyra e reformës në drejtësi dhe e drejtësisë së re. “Ju do bëni drejtësi jo vetëm sot por edhe nesër! Do të bëni drejtësi çdo ditë dhe do të jeni jo vetëm përballë ligjit por edhe përballë publikut! Gjyqtari gjykon njëherë dhe gjykohet 100-fish!”, cilësoi më tej kryetarja e Këshillit.
Aktiviteti vijoi me betimin e gjyqtarëve të rinj z. Ledio Sali, z. Klarent Demiri, z. Sokol Mara, znj. Megi Strakosha, z. Elton Frashëri, z. Elis Dine, znj. Eva Hysko, z. Rudi Laze, z. Edison Tatoshaj, znj. Lirëza Sinollari, z. Nertil Dushku, znj. Dajana Ndreja, znj. Emirjana Dimo, znj. Gladiola Bregu, znj. Dorina Stroka, znj. Ina Barjamaj, znj. Ardiola Çela, z. Orgent Nazaj, znj. Albana Misja, znj. Gentiana Shukullari, znj. Dejvi Çelçima, znj. Suada Kurti, znj. Ermelinda Fejzo, sipas tekstit: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.