Njoftim për shtyp, datë 15 Korrik 2022
Sot, në datën 15.07.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në kuadër të procesit të vlerësimit etiko profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli u njoh dhe miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares {…}, për periudhën e vlerësimit 2019-2021, gjatë kohës së komandimit në pozicionin e pedagoges së brendshme të Shkollës së Magjistraturës.
Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative të shpallur me vendimin nr. 535, datë 17.11.2021, për kandidatin {…}.
Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtarit z. Sokol Ibi, Këshilli vendosi përfshirjen e tij në skemën e delegimit dhe caktimin për të gjykuar pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
Në kuadër të plotësimit të pozicioneve të lira si dhe procesit të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përzgjedhjes për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 128 datë 01.04.2021, si dhe në Gjykatën e Apelit Vlorë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të rishpallur me vendimin nr. 135. datë 01.04.2021.
Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së mbarimit të statusit ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për shkak të tërheqjes nga kërkesa për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit.
Më tej, Këshilli miratoi një shtesë në vendimin nr. 125, datë 04.04.2022, mbi listën emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2022-2023, për ndihmës ligjorë.
Këshilli vendosi pranimin në shërbimin civil gjyqësor, në pozicionin e këshilltares ligjore në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Lartë, të znj. Griselda Leka (Hotaj) dhe në përfundim, miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare.