Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Ceremonia publike e betimit të z. Darjel Sina, në funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Lartë

Sot në datën 04.05.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në praninë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe z. Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit të Republikës për Çështjet Ligjore, u zhvillua ceremonia publike e betimit të z. Darjel Sina, në vijim të emërimit në funksionin e gjyqtarit  në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur përmes Dekretit të Presidentit të Republikës me nr. 13573, datë 26.4.2022.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor e cila theksoi se sfida për një Gjykatë të Lartë efiçente nuk është një sfidë numrash por parimesh për të çuar në Gjykatën e Lartë, gjyqtarë apo juristë të shquar jo vetëm që përmbushin kriteret ligjore, por njerëz me integritet, të njohur dhe të respektuar. Znj. Llagami u shpreh gjithashtu se promovimi në Gjykatën e Lartë, përbën arritjen më të rëndësishme  profesionale, në karrierën e një gjyqtari kudo në botë.

Ceremonia vijoi me fjalën e z. Sokol Sadushi, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, i cili i uroi suksese dhe mirëseardhjen z. Sina si dhe theksoi rëndësinë e vijimit të plotësimit të vendeve vakante të Gjykatës së Lartë  dhe rolin e rëndësishëm  të KLGJ në formatimin e Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu në fund të ceremonisë, iu dorëzuan dekretet përkatëse znj. Arbena Ahmeti dhe z. Gentian Medja, gjyqtarë pranë Gjykatës së Lartë.

 

Back to top