Njoftim për shtyp, datë 11 Maj 2022
Sot në datën 11 Maj 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli miratoi vendimin për hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale.
Gjatë mbledhjes plenare u miratuan:
Vendimi paraprak për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 85, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Vendimi paraprak për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 86, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Durrës, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 392, datë 07.10.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi gjithashtu projekt raporte për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të dy gjyqtarëve.
Ndër vendimet e marra sot përgjatë mbledhjes së Këshillit ishte edhe miratimi i vendimit për planin strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë për periudhën 2022-2024.