Pjesëmarrja e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor në konferencën “Forcimi i Efikasitetit të Gjyqësorit Administrativ në Shqipëri”
Sot, më datë 08.04.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), znj. Naureda Llagami mori pjesë në konferencën virtuale “Forcimi i Efikasitetit të Gjyqësorit Administrativ në Shqipëri”, e cila kishte si qëllim shkëmbimin e përvojave mes përfaqësuesve të sistemit gjyqësor shqiptar dhe atij gjerman.
Të ftuar nderi në këtë konferencë ishin: z. Sokol Sadushi, Zëvendës Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Eriol Roshi, Kryetari i Gjykatës Administrative të shkallës së parë, z. Ardian Dvorani, gjykatës pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Z. Martin Steinkühler, gjykatës në Gjykatën Federale Administrative gjermane, si dhe Z. Wolfgang Bartsch, ish-President i Gjykatës Administrative të Braunschweig.
Ky aktivitetit u organizua në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) dhe pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Gjykata Administrative e Shkalla e parë, Apelit, si dhe kolegjit administrativ të Gjykatës së Lartë.
Në fjalën e saj, znj. Llagami u shpreh se Shqipëria është në kërkim të një organizimi të drejtësisë administrative që i përshtatet ndyshimeve të shpejta social-ekonomike, demografike, urbanizimit, por edhe përqendrimit të këtyre konflikteve, kryesisht atje ku janë edhe të përqendruara organet e administratës publike. Sipas Znj. Llagami, kjo është një nga arsyet kryesore pse sistemi shqiptar i drejtësisë administrative vuan nga problemet e efiçencës dhe të backlogut, të cilat KLGj-ja po i adreson aktualisht edhe përmes riorganizimit të sistemit gjyqësor ose siç njihet ndryshe hartës së re gjyqësore, e cila synon më pak gjykata e më shumë efiçencë.
Z. Eriol Roshi, Kryetari i Gjykatës Administrative të shkallës së parë, gjatë fjalës së tij ofroi një panoramë të zhvillimeve më të fundit të gjykimit administrativ në Shqipëri, duke u ndaluar veçanërisht tek parashikimet dhe afatet ligjore.
Nga ana tjetër, z. Ardian Dvorani, gjykatës pranë Gjykatës Administrative të Apelit, e përqëndroi prezantimin e tij tek sfidat dhe problematikat që hasen në praktikë në gjykimin administrativ në Shqipëri, si dhe rëndësinë e zgjidhjes së tyre përmes bashkëpunimit edhe me institucionet e tjera.
Zëvendës Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, gjatë fjalës së tij, theksoi rëndësinë e evidentimit të problematikave në drejtim të efiçencës së gjyqësorit në vend duke u ndalur në mënyrë specifike tek roli dhe numri i gjyqtarëve si dhe stafit mbështetës.
Kërkesë e njëjtë që u artikulua nga pjesëmarrësit e sistemit gjyqësor shqiptar ishte shtimi i këshilltarëve gjyqësorë në gjykatat e të gjitha niveleve, si një mekanizëm për zbutjen e pasojave të shkaktuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar.
Gjatë aktivitetit, Z. Martin Steinkühler, gjykatës në Gjykatën Federale Administrative gjermane, si dhe Z. Wolfgang Bartsch, ish-President i Gjykatës Administrative të Braunschweig, ndanë me të pranishmit përvojën gjermane në gjykimin administrativ, duke sjellë shembuj dhe praktika specifike nga eksperienca e tyre profesionale.
Në fund, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutonin mbi çështje konkrete, lidhur me gjykimin administrativ, të lindura gjatë konferencës.