Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua takimi me pedagogë dhe studentë që kanë përfunduar Kursin për Raportimin mbi Gjykatat dhe Krimin, pranë Departamentit të Gazetarisë, Universiteti i Tiranës

Në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua takimi me pedagogë dhe studentë që kanë përfunduar Kursin për Raportimin mbi Gjykatat dhe Krimin, pranë Departamentit të Gazetarisë, Universiteti i Tiranës. Ky takim shënon vënien në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit e nënshkruar në qershor të këtij viti midis Këshillit dhe Departamentit të Gazetarisë, UT, e cila ka për qëllim formimin e një gjenerate të re të profesionistëve të medias me njohuri teorike dhe praktike mbi sistemin gjyqësor, fuqizimin e rolit të medias në garantimin e një komunikimi të hapur, etik, profesional dhe transparent midis gjykatave dhe publikut. Këto aktivitete do t’i garantojnë Këshillit dhe gjykatave mundësinë e një bashkëpunimi të frytshëm me gazetarët e rinj dhe reporterët e ardhshëm, si dhe mundësojnë krijimin e një grupi gazetarësh që do të shërbejnë në të ardhmen si nëpunës për marrëdhëniet me median dhe publikun në gjykata.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Projektit të financuar nga INL “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efiçencës së Gjykatës së Lartë”, zbatuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje – Perëndim (EWMI) dhe të Projektit “Forcimi i standardeve të integritetit të medias në Shqipëri”, financuar nga Ambasada Britanike, të cilët e vlerësuan këtë takim si një hap me rëndësi vendimtare për krijimin e një kulture të re bashkëpunimi dhe dialogimi mes institucioneve.

Back to top