Njoftim për shtyp, datë 13 Tetor 2021
Sot, në datën 13.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Pas shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhënien e masës disiplinore “vërejtje publike”.
Këshilli pranoi kërkesën e magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për të shtyrë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor dhe vendosi caktimin e datës 03.11.2021, ora 11:00, për vijimin e saj.
Në vijim Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional për 4 (katër) kancelarë në detyrë, më konkretisht:
- Kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, znj. Viola Kondo;
- Kancelares në detyrë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, znj. Dhurata Abazi;
- Kancelarit në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, z. Eugen Sylari;
- Kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, znj. Shpresa Cenaj.
Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil gjyqësor të kancelarit në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, {…} dhe përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil gjyqësor, për shkak të dorëheqjes, të kancelarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…}, {…}.
Në kuadër të procesit të plotësimit të pozicioneve të lira në gjykata, Këshilli vendosi ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të znj. Iliriana Olldashi.
Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e z. Medi Bici, si relator për zhvillimin e procedimit disiplinor nr.8/2021, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Rrethit Gjyqësor {…}.
Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksione në mënyrë të përhershme.