Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Misionin EURALIUS V zhvilloi takimin e radhës me fokus rritjen e eficencës në sistemin gjyqësor
Në datën 20.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Misionin EURALIUS V zhvilloi takimin e radhës me fokus rritjen e eficencës në sistemin gjyqësor. Pjesëmarrës në këtë takim, ishin përfaqësues të gjykatave të Apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe posaçëm. Ky takim u moderua nga znj. Edlira Petri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Takimi u përshendet nga Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami, e cila inkurajoi pjesëmarrësit të jenë më shumë pjesë e zgjidhjes së problematikave të sistemit sesa e konstatimit të tyre. Gjithashtu, Znj. Llagami theksoi se Këshilli është i hapur për të mirëpritur dhe zbatuar çdo propozim që lehtëson punën e gjykatave dhe rrit eficencën në ofrimin e shërbimeve ndaj publikut.
Drejtuesja e Misionit EURALIUS V, Znj. Agnes Bernhard, nënvizoi se eficenca gjyqësore nuk është një problem vetëm i Shqipërisë, por edhe i vendeve më të zhvilluara. Gjithashtu, ajo përmendi se qëllimi i takimeve të tilla i shërben identifikimit dhe diskutimit të masave që mund të ndërmerren në funksion të rritjes së eficencës, të cilat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme në kohë për vetë sistemin.
Takimi vazhdoi me diskutime nga përfaqësuesit e gjykatave të cilët propozuan masa konkrete për rritjen e eficencës në sistem, që lidhen kryesisht me nevojën për standardizimin e procedurave dhe shtimin e administratës gjyqësore.