Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 6 Korrik 2021

Sot, në datën 06.07.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në kuadër të procesit të plotësimit të pozicioneve të lira, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për një pozicion të lirë për kandidatin z.Genti Dokollari, për shkak të tërheqjes nga kandidimi,  rihapjen e katër pozicioneve të lira pranë kësaj gjykate dhe hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për një pozicion të lirë pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Pas shqyrtimit të kërkesave për dorëheqje, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.

Më tej, Këshilli miratoi një shtesë në vendimin nr.138, datë 02.04.2021, mbi listën emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.

Për shkak të problematikave të krijuara si dhe evadimit të çështjeve gjyqësore, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit me pëlqim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, si dhe miratoi disa shtesa në vendimin nr.257, datë 17.06.2021, për transferimin e përkohshëm me pëlqim të gjyqtarit z.Sami Ujkashi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

Me qëllim sigurimin e funksionimit efikas të gjykatave, Këshilli vendosi shpërndarjen e pajisjeve IT, dhuratë nga Projektit EURALIUS V, në gjykatat e të gjitha niveleve.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli vendosi  ndryshimin e pikës 1 të Vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 280, datë 10.12.2019,  “Për caktimin e gjyqtarëve për mediat”, si më poshtë:

  • Vojsava Osmanaj        –          juridiksioni i Apelit Shkodër
  • Edlira Petri                  –          juridiksioni i Apelit Tiranë
  • Florjan Kalaja             –          juridiksioni i Apelit Durrës
  • Iliba Bezati                  –          juridiksioni i Apelit Vlorë
  • Dritan Hasani            –          juridiksioni i Apelit Korçë
  • Enton Dhimitri         –           juridiksioni i Apelit Gjirokastër
  • Lindita Sinanaj        –           juridiksioni i Apelit Administrativ
  • Saida Dollani           –            juridiksioni i Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, Këshilli vendosi ngritjen e grupit të punës për hartimin e udhëzuesit standard të shtypit.

Në kuadër të miradministrimit të fondeve buxhetore, Këshilli vendosi rishpërndarjen e fondeve për shpenzime korente dhe shpenzime kapitale, në favor të disa gjykatave.

 

 

Back to top