Në datat 29-30 qershor 2021, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvillua trajnimi pilot me temë: “Administrimi i gjykatës dhe statistikat si mjete strategjike për përmirësimin e performancës”.
Në datat 29-30 qershor 2021, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvillua trajnimi pilot me temë: “Administrimi i gjykatës dhe statistikat si mjete strategjike për përmirësimin e performancës”. Ky trajnim, i pari i këtij lloji, u mbështet nga projektet e Bashkimit Europian për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, EURALIUS dhe PAMECA, si dhe nga projekti Italian CSM-AICS “Mbështetja ndaj Shkollës së Magjistraturës në Kuadër të Procesit të Reformës Kushtetuese”.
Pjesë e panelit të këtij aktiviteti, i cili mblodhi së bashku kryetarët dhe zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të Shqipërisë ishin: Znj.Naureda Llagami, Kryetare e KLGJ, Znj.Brikena Ukperaj, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale, Znj.Carmela Germinario, Eksperte, Projekti Italian CSM – AICS, Znj. Daniela Piana, Profesore e Universitetit të Bolonjës, Z.Eugenio Turco, President i Seksionit Civil të Tribunalit të Viterbo, Gjykata e Apelit Romë, Itali, z.Gianluigi Pratola, Ekspert Ndërkombëtar, Projekti EURALIUS V; z.Giovanni Pasqua, Ekspert për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, PAMECA V, si dhe Edlira Osmani, Eksperte, Projekti EURALIUS V.
Dita e parë e trajnimit u përqëndrua kryesisht në çështjet që lidhen me administrimin e gjykatës.
Roli i statistikave dhe detyrimet raportuese të Kryetarit të Gjykatës, përfshirë edhe përgatitjen e raportit vjetor për personelin e gjykatës dhe ngarkesën e çështjeve, ishte tema e ditës së dytë të trajnimit. Gjatë sesionit praktik që finalizoi ditën e dytë të trajnimit, pjesëmarrësit diskutuan ndër të tjera edhe mbi formatin dhe përmbajtjen e raportit vjetor që gjykatat paraqesin në KLGJ.
Gjithashtu, gjatë trajnimit dy ditor pjesëmarrësit u njohën edhe me modelet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira europiane në matjen e performancës së gjykatave. Këto modele do të orientojnë veprimtarinë e gjykatave në funksion të mirëadminstrimit dhe rritjes së përformancës së sistemit gjyqësor ndaj publikut.