Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami mori pjesë në takimin konsultues të organizuar me profesionistë të sistemit të drejtësisë, për hartimin e komentarit për ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, si një ndër grupet më të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Sot në datën 23.06.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami mori pjesë në takimin konsultues të organizuar me profesionistë të sistemit të drejtësisë, për hartimin e komentarit për ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, si një ndër grupet më të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e KLGJ-së, pasi falenderoi qeverinë suedeze dhe UNDP për mbështetjen e vazhdueshme të të drejtave të grave si në kuptimin e mbrojtjes, ashtu edhe fuqizimit të tyre social dhe ekonomik, theksoi se “pavarësisht sfidave me të cilat po përballet sistemi gjyqësor sot, por kjo nuk do të thotë se debatet e lidhura me parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës gjinore janë të dorës së dytë. Integriteti, përgjegjshmëria, respekti për ligjin, institucionet, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, pra kultura demokratike, fillon tek familja”.
Pas fjalës së Znj. Llagami, të pranishmit së bashku me ekspertët e fushës zhvilluan një diskutim tepër frytdhënës mbi praktikën gjyqësore, problematikat e hasura gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe zgjidhjet praktike të ndryshimeve të fundit ligjore. Në aktivitet morën pjesë 20 gjyqtarë, si dhe profesionistë të tjerë që trajtojnë çështje të dhunës në familje.
Ky aktivitet u organizua si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, me fonde të qeverisë suedeze.