Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit i Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi, e cila do t’u mundësojë studentëve të vitit të tretë në kursin “Raportimi mbi Gjykatat dhe Krimin” zhvillimin e praktikave në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe vizita në Gjykata.
Sot, në datën 30.06.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit i Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi, e cila do t’u mundësojë studentëve të vitit të tretë në kursin “Raportimi mbi Gjykatat dhe Krimin” zhvillimin e praktikave në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe vizita në Gjykata.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është nxitja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis KLGJ-së, si institucioni i pavarur kushtetues qeverisës i sistemit gjyqësor dhe Departamentit të Gazetarisë, në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të medias me njohuri teorike dhe praktike mbi sistemin gjyqësor.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, Z.Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe Z.Mark Marku, Drejtues i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Ky bashkëpunim do t’u ofrojë studentëve mundësinë për njohjen e drejtpërdrejtë me strategjitë, politikat, procedurat gjyqësore dhe praktikat për çështje që lidhen me marrëdhëniet me median. Nga ana tjetër, këto aktivitete krijojnë premisat e një bashkëpunimi të frytshëm të KLGJ-së dhe gjykatave me gazetarët e rinj, si dhe për të krijuar një grup profesionistësh që mund të shërbejnë në të ardhmen si nëpunës të marrëdhënieve me publikun dhe median në gjykata.
Ky bashkëpunim i shërben rritjes së transparencës përmes raportimit mediatik të paanshëm dhe etik mbi çështjet e drejtësisë në Shqipëri. KLGJ dhe Departamenti i Gazetarisë janë të përkushtuar për të vënë në zbatim këtë marrëveshje dhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy institucioneve, në funksion të rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Kjo Marrëveshje Mirëkuptimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit me Projektin “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit të Gjykatës së Lartë” i mundësuar nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe me Projektin “Forcimi i Standardeve të Integritetit të Medias”, i financuar nga Ambasada Britanike në Tiranë, projekte të zbatuar nga East-West Management Institute (EWMI).