Njoftim për shtyp, datë 22 Prill 2021
Sot, në datën 22.04.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të procesit të ngritjes në detyrë, për plotësimin e vendeve vakante në gjykatat e apelit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve z.Florjan Kalaja, znj.Alma Ahmeti dhe znj.Igerta Hysi, dhe vijimin e procedurave të emërimit për pozicionet respektive, në gjykatat e Apelit Tiranë dhe Durrës.
Në vijim, me qëllim normimin e standardeve të etikës gjyqësore dhe rregullave të sjelljes të gjyqtarëve dhe nëpunësve civilë gjyqësorë, Këshilli vendosi miratimin e Kodit të Etikës Gjyqësore.
Më tej, Këshilli vendosi miratimin e kërkesave buxhetore të programit buxhetor afatmesëm 2022-2024 për sistemin gjyqësor (faza e parë).
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.