Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, së bashku me z. Erjon Muharremaj, anëtar i Këshillit, i caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun, u takuan me z. Gert Shella, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP

Në datë 15 prill 2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, së bashku me z. Erjon Muharremaj, anëtar i Këshillit, i caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun,  u takuan me z. Gert Shella, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP, për të diskutuar mbi mundësitë e ndërsjella të bashkëpunimit me qëllim përmirësimin e komunikimit  midis gjyqësorit, mediave dhe publikut të gjerë shqiptar. Bashkëpunimi ka për synim konkret forcimin e rolit të gjyqtarëve të medias dhe nëpunësve civilë gjyqësorë të caktuar për marrëdhëniet me publikun.

Në fundmi, KLGJ-ja ka miratuar dhe një Strategji të Posaçme të Komunikimit për Sistemin Gjyqësor, ku janë përcaktuar dhe bazat dhe mënyrat sesi mund të përmirësohen  marrëdhëniet e gjyqësorit me median dhe publikun. Strategjia synon përmirësimin e aksesit të publikut tek informacioni gjyqësor dhe rritjen e besimit të publikut tek gjykatat. Në këtë kuadër, INFOCIP në bashkëpunim të ngushtë me KLGJ-në, si dhe përmes partnerëve ndërkombëtarë synojnë të sjellin në Shqipëri përvojën e përparuar europiane, dhe veçanërisht atë holandeze të komunikimit publik me qëllim zbatimin e dokumenteve strategjike të Këshillit në mënyrë sa më efektive. Po ashtu bashkëpunimi do të këtë në fokus rritjen e nivelit të përdorimit të teknologjive të reja të informacionit dhe mjeteve të komunikimit, për të ofruar informacion në mënyrë proaktive, në format lehtësisht të kuptueshëm nga publiku.​

 

Back to top