Njoftim për shtyp, datë 14 Prill 2021
Sot, në datën 14.04.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të procesit të vlerësimit etiko-profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për periudhën 2013-2016 dhe vitin 2019, për gjyqtaren znj.Klodiana Veizi, si dhe fillimin e procedurës së vlerësimit për tre gjyqtarë të tjerë të cilët kanë përfunduar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar.
Në vijim, në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.
Pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjyqtarëve, Këshilli vendosi dhënien e lejes së papaguar për arsye familjare, për një afat tre mujor për znj.Gentiana Muçaj, lehtësimin e ngarkesës në punë për znj.Manjola Xhaxho, për shkak të ushtrimit njëkohësisht edhe të funksionit si anëtare e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, si dhe mbarimin e statusit të magjistratit për {…}, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…}.
Në kuadër të procesit të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të katër kritereve të kandidimit nga kandidati z. Engert Pëllumbi, për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera të kandidimit, si dhe renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 93, datë 26.02.2020.
Pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.