Njoftim për shtyp datë 4 Shkurt 2021
Sot, në datën 04.02.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në funksion të formimit profesional të trupës së nëpunësve civilë gjyqësor, me qëllim plotësimin e pozicioneve të lira me profesionistë të kualifikuar, Këshilli vendosi përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të pranimit të kandidatëve për këshilltarë ligjorë, ndihmës ligjorë dhe kancelarë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi miratimin e raportit vjetor të veprimtarisë për vitin 2020, të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit.
Në vijim të procedurave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës për kandidaten znj.Saida Dollani, për tre pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr.242, nr.243 dhe nr.244, datë 09.07.2020.
Në përfundim, në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit periodik dhe atij të përshpejtuar për pesë gjyqtarë.