Njoftim për shtyp datë 14 Janar 2021
Sot në datën 14.01.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të etikës dhe aftësive profesionale, vendosjen e standardeve të qëndrueshme sa i përket cilësisë dhe sasisë së veprimtarisë së gjyqtarit, zhvillimin e karrierës së tyre, identifikimin e nevojave për trajnim si dhe magjistratët me aftësi të veçanta, Këshilli filloi proçesin e vlerësimit periodik të gjyqtarëve duke vendosur miratimin e raporteve të para të vlerësimit etik dhe profesional për periudhat 2013-2016, si dhe për vitin 2019, për magjistratet znj. Albana Boksi dhe znj. Ilirjana Olldashi.
Në vijim të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin për pranimin në në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, për vitin akademik 2020-2021, për kandidaten znj. Egla Mirashi.
Më tej, në përputhje me detyrimet ligjore, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës, kushteve dhe kritereve të emërimi, për kancelarët në detyrë, në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.