Njoftim për shtyp datë 26 Nëntor 2020
Sot, në datën 26.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në zbatim të detyrimit Kushtetues dhe ligjor për ofrimin e informacionit të duhur për qasjen në drejtësi, me synim përcaktimin e parimeve, rregullave dhe procedurave për marrëdhëniet e Këshillit dhe sistemit gjyqësor me publikun, median e shkruar dhe elektronike, në funksion të komunikimit të ligjshëm, transparent, të përgjegjshëm dhe profesional, lehtësimin e vështirësive për aksesimin e lajmit për komunitetin e mediave dhe gazetarëve, rikthimin e besimit të publikut në drejtësi, Këshilli vendosi miratimin e Planit Strategjik të Komunikimit për Sistemin Gjyqësor, si dhe Rregullores për Komunikimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor me Median.
Në funksion të plotësimit të skemës së vlerësimit, Këshilli vendosi miratimin e modelit të hartimit të projektraportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit.
Në kuadër të miradministrimit të fondeve buxhetore, Këshilli vendosi miratimin e fondeve të lira, nga buxheti i vitit 2020, në sistemin gjyqësor.
Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, Këshilli vendosi përfundimin e procedurave të ngritjes në detyrë, për kandidatët znj. Elona Toro dhe znj. Etleva Temo.
Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, pas administrimit të provave, ballafaqimit të palëve, dëgjimit të konkluzioneve nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendosi caktimin e datës 10 Dhjetor 2020 për paraqitjen e konkluzioneve nga ana e magjistratit {…}.