Njoftim, për takimin e realizuar “Mbi të drejtën e informimit për veprimtarinë e sistemit gjyqësor”
Në datën 14.10.2020, ora 14.00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua një takim me përfaqësues të medias, duke respektuar protokollet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Takimi u organizua nga z. Erjon Muharremaj, anëtar i Këshillit, i caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun, pas kërkesës së përfaqësuesve të medias, me pjesëmarrjen e znj. Saida Dollani, gjyqtare e medias në juridiksionin e Posaçëm të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, znj. Edlira Petri, gjyqtare e medias në juridiksionin e Apelit Tiranë, znj. Lindita Sinanaj, gjyqtare e medias në juridiksionin e Apelit Administrativ, si edhe përfaqësues të medias që mbulojnë çështjet e drejtësisë, znj.Klodiana Lala, znj. Glidona Daci, z. Armand Barjami, z. Sokol Dema dhe z.Edmond Hoxhaj.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i problematikave dhe vështirësive për marrjen e informacionit në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, veçanërisht në kushtet e kufizimeve të vendosura në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 nga Akti Normativ nr. 9/2020, si dhe për mënyrën e komunikimit dhe mbajtjes së kontakteve midis gjyqësorit dhe medias, në mënyrë që përfaqësuesit e medias të mund të realizojnë misionin e tyre për informimin e publikut.
Nga përfaqësuesit e medias u përcoll shqetësimi se gjatë periudhës së pandemisë, atyre u është vështirësuar shumë e drejta për akses fizik në gjykata, veçanërisht në mjediset e gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në njoftimin e datës 16.9.2020, dërguar medias nga ana e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gazetarët njoftoheshin se do të kishin akses për të ndjekur vetëm shpalljet e vendimeve. Por ky akses nuk mund të realizohet nga ana e gazetarëve, pa pasur më parë një informacion të plotë lidhur me listën e gjykimeve që do zhvilloheshin në gjykatë. Kjo, për shkak se lista e gjykimeve nuk afishohet në mënyrë të rregullt nga gjykatat, si dhe në faqen zyrtare të gjykatave kjo listë nuk përditësohet në kohe reale, çka e bën të pamundur marrjen e informacionit në kohë reale.
Një shqetësim tjetër i ngritur nga përfaqësuesit e medias ishte moslejimi i prezencës së tyre gjatë seancave gjyqësore, ndërkohë që seancat gjyqësore janë publike dhe nuk ka një vendim për të zhvilluar gjykimin me dyer të mbyllura. Duke e lidhur këtë me periudhën e pandemisë, kërkohet prej tyre mundësimi për të ndjekur seancat gjyqësore nëpërmjet një monitori (TV) të vendosur në Dhomën e Medias, në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Po kështu, vendimet që u vihen mediave në dispozicion, në kuadër të së drejtës për informim, shpesh përmbajnë të anonimizuara edhe të dhënat që nuk janë sensitive, si emri i gjyqtarit, emri i avokatit, madje ndonjëherë edhe masën e dënimit në dispozitivin e vendimit të gjykatës.
Gjyqtarët e Medias kërkuan prej përfaqësuesve të medias që kërkesat për informacion lidhur me çështjet gjyqësore që kanë interes të veçantë, duhet t’i drejtohen në çdo rast Gjyqtarit të Medias të juridiksionit përkatës, nëpërmjet Koordinatorit të së Drejtës për Informim pranë gjykatave. Kjo, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohet e drejta për informim, duke marrë një informacion të saktë dhe të shpejtë nga shërbimet për marrëdhëniet me publikun, të cilat kanë për detyrë të kujdesen për informimin e publikut dhe medias në lidhje me veprimtaritë e gjykatës, si dhe për çështje të caktuara gjyqësore që kanë interes publik. Nga ana tjetër, informacioni do të jepet gjithmonë në përputhje me ligjin “Për të drejtën e informimit”, si dhe duke respektuar parimin për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, privatësisë dhe të dhënave personale, reputacionit dhe prezumimit të pafajësisë.
Lidhur me shqetësimin për mosafishimin e listave të gjykimit nga ana e gjykatave, nga ana e gjyqtarëve të medias u mbajtën shënime, me qëllim kryerjen e verifikimeve përkatëse, pasi afishimi i listave të gjykimeve konsiderohet një informacion që jepet nga gjykata pa kërkesë, informacion i cili duhet të jetë publik dhe i aksesueshëm nga media dhe publiku në çdo kohë.
Gjithashtu, lidhur me kërkesën për ndjekjen e seancave gjyqësore nëpërmjet monitorit në Dhomën e Medias pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjyqtarja e medias në juridiksionin e Posaçëm të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shpreh se këtë kërkesë do ta diskutonte me dy titullarët e gjykatave.
Lidhur me shqetësimin e anonimizimit të çdo të dhëne në vendimet gjyqësore, anëtari i Këshillit, z. Muharremaj, u shpreh se aktualisht anonimizimi i vendimeve gjyqësore realizohet në mënyrë manuale nga sekretaret gjyqësore, e për shkak të ngarkesës së madhe në punë, gabimisht, mund të jenë anonimizuar edhe të dhëna që nuk janë sensitive. Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është duke punuar për zgjidhjen e problematikave të mbartura ndër vite që ka Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore, ku një ndër to, është edhe pamundësia e anonimizimit të të dhënave sensitive nga vetë sistemi.
Gjithashtu, u shpreh edhe gatishmëria e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vijimin e përmirësimit të komunikimit të sistemit gjyqësor me përfaqësuesit e medias, në mënyrë që të garantohet funksionimi i tij me transparencë të plotë, si dhe përkushtimi për arritjen e standardeve më të larta të etikës dhe profesionalizmit në komunikimin me median dhe publikun.