Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 24 Shtator 2020

Sot me datë 24.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Në kuadër të prioriteteve të Këshillit dhe në përputhje me programin e vlerësimit etiko-profesional të gjyqtarëve, KLGJ miratoi vendimin për fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit për tre gjyqtarë që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit. Gjithashtu, Këshilli miratoi fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për nëntë gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë.

Me qëllim garantimin e të drejtave të punonjësve të sistemit gjyqësor, bazuar në parimin e mosdiskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit, qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimit civil, Këshilli miratoi vendimin për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien e statusit të nëpunësit civil gjyqësor, punonjësve në detyrë në gjykata.

Në vijim të mbledhjes, pas shqyrtimit të kandidaturave nga radhët e gjyqtarëve që kanë aplikuar për t`u komanduar si ndihmës magjistrat në Gjykatën e Lartë, Këshilli vendosi përfshirjen në procedurën e komandimit të kandidatëve znj. Enisa Shahini, znj. Engjëllushe Tahiri, znj. Iva Zemani dhe znj. Lorena Çabej, dhe përjashtimin nga këto procedura të kandidatëve znj. Erlanda Agaj, z. Sokol Pina, z. Florian Demollari dhe z. Mirjan Mustafaj.

Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, {…}, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes.

Në përfundim, Këshilli miratoi vendimet për verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit, për gjyqtarët znj. Albana Boksi, z. Enton Dhimitri, z. Klodian Kurushi, si dhe caktimin e relatorit për procedurën e verifikimit të kritereve ligjore për kandidatët znj. Alma Hicka, znj. Saida Dollani dhe z. Darjel Sina.

Back to top