Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 29 Korrik 2020

Sot më datë 29 korrik 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan në platformën Zoom aktivitetin mbi “Prezantimin e Udhërrëfyesit për Efikasitetin e Gjykatës së Lartë dhe reduktimin e stokut të çështjeve të prapambetura”.

Ky event u përshëndet nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim si dhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Z. Luigi Soreca.

Takimi u hap me fjalën e Kryetares së KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, e cila theksoi se situata në cilën gjendej Gjykata e Lartë deri 1 vit më parë, ishte dhe vazhdon të jetë këmbanë e fortë alarmi për sfidat me të cilat po përballet KLGJ si dhe për nevojën për ta ngritur këtë gjykatë në vendin dhe dinjitetin që i takon si autoriteti ligjor, udhëheqës dhe i pavarur për njësimin e praktikës gjyqësore në Shqipëri. Për këtë qëllim, KLGJ ka punuar prej më shumë se 1 viti për hartimin e rregullave të qarta si për prurjen e kandidaturave më cilësore nga ana e juristëve të spikatur ashtu edhe në lidhje me promovimin e gjyqtarëve më profesionist dhe me integritet brenda sistemit. Hartimi dhe miratimi i një paketë të plotë aktesh nënligjore, përveç angazhimit, punës dhe përkushtimit maksimal ka kërkuar kohën e nevojshme, me qëllim që këto akte të reflektonin jo vetëm nevojat aktuale të sistemit, por mbi të gjitha të paraprinin dhe të vendosnin standarde të reja për të ardhmen. Znj. Llagami mbylli fjalën e saj duke shprehur angazhimin e pa kursyer të KLGJ-së për zbatimin e këtij udhërrëfyesi si në lidhje me plotësimin e numrit të gjyqtarëve ashtu edhe në kuadër të arritjes së kushteve optimale infrastrukturore dhe njerëzore, metodave të punës dhe sistemeve të menaxhimit të të dhënave për një Gjykatë të Lartë jo vetëm funksionale por edhe efeciente. Për këtë qëllim, nevojitet një bashkëpunim i ngushtë ndër-institucional në mënyrë të tillë që Gjykata e Lartë të jetë prioritet për të gjithë!

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim theksoi rëndësinë e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, si një ndër nevojat kryesore për të cilat u iniciua reforma në drejtësi. Nëse Gjykata e Lartë nuk funksionon, atëherë drejtësia për qytetarët është e munguar. Ndaj parimi besimit të publikut duhet të udhëheq Gjykatën e Lartë në punën e saj të përditshme. Ambasadorja Kim, krahas mbështetjes së vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar jo vetëm në hartimin por edhe në zbatimin e reformës në drejtësi, theksoi nevojën e ristrukturimit të Gjykatës së Lartë, si dhe sistemit gjyqësor në tërësi, në kuadër të ofrimit të zgjidhjeve pro-aktive, të cilat do të ngjallin një sens shprese për qytetarët shqiptar.

Në vijim, takimi u përshëndet edhe nga z. Luigi Soreca, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili nënvizoi se mesazhi i BE-së është i qartë: Funksionimi i Gjykatës së Lartë sa më shpjet të jetë e mundur është një ndër kushtet kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Z. Soreca theksoi se çështjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë përfaqësojnë histori njerëzore ndaj dhënia e një drejtësie eficente dhe efikase është prioritet për rritjen e besimit të publikut në këtë gjykatë. Në përfundim, Ambasadori Soreca përshëndeti punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke nënvizuar se një ndër arritjet e reformës në drejtësi ishte pikërisht konstituimi i një organi të pavarur për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor. Ndaj Këshilli ka përgjegjësinë që ta bëj këtë proces të funksionoj duke rritur komunikimin e vendimmarrjeve të tij me publikun.

Udhërrëfyesi për Eficencën në Gjykatën e Lartë, hartuar në bashkëpunim me asistencën teknike të ofruar nga EURALIUS V dhe Projekti Drejtësi për të Gjithë –USAID u prezantua nga Z. Maksim Qoku, Zv. Kryetari i KLGJ-së dhe Z. Sokol Sadushi, Zv.Krytari i Gjykatës së Lartë.

Të pranishëm në këtë event on-line ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, anëtarët e Gjykatës së Lartë si dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

 

 

 

Back to top