Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 23 Korrik 2020

 

 

 

Sot me datë 23.07.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

 

Këshilli vendosi hapjen e procedurës së komandimit në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë dhe shpalljen e kërkesës për 5 (pesë) kandidatura nga radhët e gjyqtarëve.

 

Në vijim Këshilli, pasi u njoh me dokumentacionin përkatës, vendosi pezullimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga znj. Ariana Gaçi, për rikthimin e saj në funksionin e Këshilltarit të Gjykatës së Lartë. Kjo vendimmarrje u bë për shkak të kërkesës saj të paraqitur për shqyrtim para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Më tej, mbledhja vijoi me shqyrtimin e relacionit mbi situatën e pritshme të caktimin në pozicion të të sapodiplomuarve për magjistratë. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që t’i kërkojë Shkollës së Magjistraturës, si organi kompetent që bën renditjen e kandidatëve për magjistratë, të unifikojë listën e të diplomuarve për magjistratë, profili gjyqtar.

 

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi publikimin e pozicioneve të lira në nivel apeli, për gjyqtarin Ardian Dvorani, që ka të drejtën e caktimit në një pozicion të tillë. Pas kësaj vendimmarrje gjyqtari Ardian Dvorani, ftohet për të zgjedhur deri më datë 28.07.2020, njërin nga pozicionet e lira në gjykatat e mëposhtme:

Gjykata e Apelit Tiranë,

Gjykata e Apelit Administrativ,

Gjykata e Apelit Durrës,

Gjykata e Apelit Korçë,

Gjykata e Apelit Gjirokastër,

Gjykata e Apelit Shkodër.

 

Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me Vendimin nr.86, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidaten znj. Klodiana Veizi, për shkak të tërheqjes së saj nga kandidimi për këtë pozicion.

 

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. Irida Kacerja të katër kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 91, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

 

 

 

Back to top