Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 02 Korrik 2020

Sot me datë 02.07.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme.

Për shkak të mos shprehjes së interesit nga gjyqtarët për pozicionet e lira të shpallura me datë 26.02.2020, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 4 (katër) pozicione të lira  në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 (një) pozicion të lirë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu për të njëjtin shkak, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 (një) pozicion në fushën e të drejtës civile në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe Apelit Shkodër si dhe 1 (një) pozicion në fushën e të drejtës penale në Gjykatën e Apelit Korçë.

Në vijim të shpalljes së pozicioneve të lira, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për 1 (një) pozicion të lirë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë si dhe për 1 (një) pozicion të lirë në atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Për shkak të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtares znj. Nure Dreni, Këshilli vendosi mbarimin e caktimit të përkohshëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe transferimin e saj.

Në përfundim fazës së parë të verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e tre kritereve ligjore të kandidimit si dhe vijimin e verifikimit të kritereve të tjera për kandidatin z. Dhimitër Lara, znj. Saida Dollani dhe znj. Margarita Buhali.

Gjithashtu në vijim të rendit të ditës, Këshilli vendosi shtyrjen e hapjes së procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës administrative/civile/penale, pas marrjes së opinionit të partnerëve ndërkombëtar.

Në përfundim Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të disa gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

 

Back to top