Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga anëtarët z. Erjon Muharremaj dhe znj. Brikena Ukperaj, mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Kohëzgjatja e shqyrtimi Gjyqësor në Apel, 2019 dhe analiza krahasuese 2016-2019”, organizuar nga Qendra INFOÇIP.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga anëtarët z. Erjon Muharremaj dhe znj. Brikena Ukperaj, mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Kohëzgjatja e shqyrtimi Gjyqësor në Apel, 2019 dhe analiza krahasuese 2016-2019”, organizuar nga Qendra INFOÇIP. Në këtë konferencë ishin të pranishëm, ambasadorja e Vendeve të Ulëta në Tiranë, Avokatia e Popullit, përfaqësues nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Dhomës së Avokatisë, Shoqërisë Civile, etj.

Pasi falënderoi organizatorët për gjetjet e bëra, në raport me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore në gjykatat e apeleve në Shqipëri, znj. Llagami u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse, se nisma të tilla monitoruese, jo vetëm ndërgjegjësojnë publikun e interesuar për çështjet e drejtësisë dhe për reformën në drejtësi, por lidhen direkt me disa nga prioritetet si afat-gjata dhe afatshkurtra të KLGJ-së.

Duke vënë theksin tek rëndësia e veçantë që kanë gjykatat e Apelit, pasi vendimet e tyre janë të formës së prerë dhe me ndikim të lartë si për palët dhe gjithë shoqërinë, znj. Llagami u shpreh se prioritet i KLGJ-së mbeten mirëmenaxhimi i sistemit, cilësia dhe aksesi.

Në fund të fjalës së saj, znj. Llagami tha se “Këshilli mbetet i hapur edhe përtej çështjeve individuale atje ku komunikimi dhe transparenca duhet të jetë e një niveli më të lartë; që të arrijmë të kuptojmë edhe grup-çështjet më të ndjeshme dhe të ndikojmë strategjikisht në adresimin e tyre qofshin këto që lidhen me pronat, me familjen, me fëmijët apo marrëdhëniet me institucione të caktuara të administratës publike; që të kuptojmë edhe grupet për të cilët duhet të punojmë më shumë për t’i përfshirë dhe ofruar akses më të gjerë si për shembull gratë viktima të dhunës në familje; fëmijët e komuniteteve në nevojë, etj.”

 

Fjala e plotë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami

 

Të nderuar organizatorë të kësaj konference,

Ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

E nderuar Znj. Avokate e Popullit,

Të nderuar të ftuar,

 

Jam e nderuar të jem pjesë e kësaj konference dhe në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor dua të përgëzoj nisma të tilla monitoruese të cilat jo vetëm ndërgjegjësojnë publikun e interesuar për çështjet e drejtësisë dhe për reformën në drejtësi por edhe lidhen direkt me disa nga prioritetet si afat-gjata dhe afatshkurtra të KLGJ-së.

Një prej tyre është sistemi i menaxhimit të çështjeve për të cilin gjej edhe rastin t’i bëj thirrje për ndihmë edhe donatorëve dhe organizatave të pranishme të cilat mbështesin reformën në drejtësi. Një sistem i cili na jep të dhëna të sakta për gjykatat tona dhe perfomancën e tyre në të gjitha nivelet, nuk është luks por domosdoshmëri, dhe kjo për të siguruar transparencën e nevojshme dhe aksesin e shumëpritur ndaj qytetarëve.

Koha e shqyrtimit dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore është tregues i rëndësishëm i vlerësimit të veprimtarisë profesionale të gjyqtarit.

Afati i arsyeshëm është një nga standardet më të rëndësishme të vendosura si nga Konventa ashtu edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërthurja e llogaridhënies institucionale nga njëra anë dhe qytetarisë së angazhuar përmes iniciativave të tilla nga ana e shoqërisë civile janë më se të nevojshme sot.

*

Ashtu si me shumë vend e keni quajtur platformën tuaj online – GJYKATË E HAPUR le të punojmë së bashku për një gjykatë të hapur!

Të hapur në realitet, atje ku qytetarët kërkojnë drejtësi! Për të gjithë qytetarët drejtësia duhet të shihet, pra të jetë transparente por edhe efikase!

Por ne si Këshill jemi të hapur edhe përtej çështjeve individuale atje ku komunikimi dhe transparenca duhet të jetë e një niveli më të lartë; që të arrijmë të kuptojmë edhe grup-çështjet më të ndjeshme dhe të ndikojmë strategjikisht në adresimin e tyre qofshin këto që lidhen me pronat, me familjen, me fëmijët apo marrëdhëniet me institucione të caktuara të administratës publike; që të kuptojmë edhe grupet për të cilët duhet të punojmë në shumë për t’i përfshirë dhe ofruar akses më të gjerë si për shembull (pa u ndalur tek të gjitha) gratë viktima të dhunës në familje; fëmijët e komuniteteve në nevojë.

*

Pra duhet të mendojmë më gjatë edhe më larg!

Prandaj përveç informacioneve sasiore na duhen edhe informacione cilësore që ta çojmë këtë diskutimin e sotshëm më tej, pra në formën e propozimeve për zgjidhje që adresojnë si çështjet e veçanta ashtu edhe politikat gjyqësore!

Unë gjej rastin të falënderoj INFOÇIP që ka monitoruar gjykatat, veçanërisht ato të apelit. Vlerësimi tematik i shpejtësisë së gjykimit në 6 gjykatat e apeleve i realizuar nga INFOÇIP i shërben vizionit tonë dhe na ofron mundësinë për të parë nga një optikë e pavarur vlerësimi ecurinë e treguesve të eficiencës. Gjykatat e Apelit kane rëndësi te veçante pasi vendimet e tyre janë përfundimtare dhe rrjedhimisht këto vendimmarrje kanë edhe një impakt të lartë si për palët ashtu edhe për gjithë shoqërinë.

Pas këtij viti të parë me funksionalizimin e Gjykatave të Posaçme Per Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar dhe së shpejti edhe Gjykatës së Lartë mendoj se jemi në drejtimin e duhur!

Siç e kemi thënë prioritet tona mbeten:

  • Mirëmenaxhimi i sistemit;
  • Cilësia dhe Aksesi!

Të treja këto janë bashkë dhe nuk mund të realizohen pa një bashkëpunim të ngushtë! Ne e shikojmë shoqërinë civile si një partner në realizimin efektiv të një GJYKATE TE HAPUR!

Prandaj shpresoj dhe uroj t’ju kemi me vete si partnerë dhe bashkëpunëtorë pozitivë e nxitës!

 

Back to top