Njoftim për shtyp 4 Nëntor 2019
Sot më datë 04.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime. Më konkretisht Këshilli u njoh me raportin mbi informacionin periodik të Kryetarëve të Gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Prill – Qershor 2019.
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi pjesëmarrjen e magjistratëve në programin e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës për periudhën tetor – dhjetor 2019.
Më tej Këshilli miratoi një ndryshim në vendimin nr. 112 datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në lidhje me magjistratët udhëheqës, që do të bëjnë vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat magjistrat, profili gjyqtar, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit, të përcaktuara në ligj.
Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtarit z. Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, si dhe miratoi vendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, të kandidatit z. Elis Dine.