Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 22 Tetor 2019

Sot më datë 22.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, Këshilli pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, miratoi statusin individual për 7 nga 9 inspektor të ish-KLD-së. Dy prej tyre do të trajtohen në mbledhjen pasardhëse.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatit nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidatit z. Theodhor Sollaku. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi komandimin e znj. Tereza Lani (Merkaj) si pedagoge e brendshme, në Departamentin e Formimit Fillestar, të Shkollës së Magjistraturës.

Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares Eneida Civici, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, si dhe konfirmoi si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë të gjyqtarit Florjan Kalaja dhe zgjatjen e mandatit të komandimit me 1 (një) vit.

Back to top