Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 11 Tetor 2019

Sot më datë 11.09.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Konkretisht, Këshilli vendosi komandimin për një periudhë 2 vjeçare në strukturën e këshilltarëve ligjorë në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve të KLGJ-së, të gjyqtareve znj. Rudina Palloj dhe znj. Flojera Davidhi.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës gjyqësore dhe të rregullave të sjelljes të gjyqtarëve, si dhe për mbikëqyrjen e respektimit të tyre,

Këshilli, caktoi gjyqtaren znj. Albana Boksi, në pozicionin e Këshilltares së Etikës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli miratoi metodologjinë për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë. Akti i miratuar sot ka trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi çdo element të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, duke mundësuar kritere të qarta dhe transparente, një vlerësim objektiv, si dhe një procedure  të saktë e cila garanton të drejtat e kandidatëve në këtë proces.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidaten znj. Dajana Ndreja.

Bazuar në rendin e ditës, Këshilli miratoi kërkesën e gjyqtares znj. Suela Xhani, për përjashtim nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Back to top