Njoftim për shtyp 19 Korrik 2019
Sot më datë 19.07.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila nisi me miratimin e “Planit Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë (2019-2020)”.
Në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Planifikimit Strategjik dhe Administrimit të Buxhetit, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, prezantoi përpara Këshillit dokumentin e parë strategjik të institucionit i cili do të shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm për veprimtarinë e KLGJ-së, por për të gjithë sistemin gjyqësor. Në të shpaloset vizioni dhe vlerat në të cilat KLGJ-ja mbështetet në realizimin e misionit të saj “për ndërtimin, udhëheqjen dhe qeverisjen e një gjyqësori me performancë të lartë, që synon ekselencën dhe meriton besimin e publikut”.
Në këtë kontekst, hartimi i Planit Strategjik dhe atij të veprimit shkon përtej detyrimit ligjor. Këto instrumente planifikimi synojnë të prioritizojnë objektivat dhe sistematizojnë veprimet në të cilat do të investohet Këshilli duke maksimizuar burimet financiare dhe njerëzore, si dhe duke adresuar strategjikisht problemet dhe nevojat me akute të gjykatave. Planit Strategjik dhe ai i veprimit i janë nënshtruar konsultimit me të gjithë kryetarët e gjykatave, organizatat e shoqërisë civile dhe bashkërenduar me Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë, në bashkë punim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë. Në përfundim të relatimit nga ana e kryetares, Këshilli i Lartë Gjyqësor, miratoi unanimisht Planin Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë (2019-2020)”
Puna disa mujore e Këshillit
për hartimin e Planin Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor u mbështet nga
ekspertiza e vyer e projektit “Drejtësi për të Gjithë”, të
USAID.
Një tjetër vendimarrje e rëndësishme e KLGJ-së, në mbledhjen e sotme, ishte ajo e emërimit si gjyqtarë e 10 magjistratëve, përkatësisht: znj. Suela Dashi, znj. Afërdita Caco, znj. Merita Karaj, z. Ardit Kuka, znj. Amarilda Sulaj, z. Ervin Sulaj, z. Olti Skrame, znj. Enkeleda Dalipi, znj. Lorena Çabej dhe znj. Suela Xhani. Ky emërim u krye duke mbajtur në konsideratë përfundimin procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, të kandidatëve të sipër përmendur e të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, për profilin gjyqtar, në përfundim të vitit akademik 2017-2018.