Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

DEKLARATË PËR SHTYP

Duke marrë shkas nga disa shkrime me përmbajtje dhe etiketime fyese dhe denigruese nga disa portale, ndaj gjyqtares Suela Dashi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh opinionit publik shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje të opinionit publik se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton që gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa cenimi i reputacionit të gjykatave dhe gjyqtarëve, passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Këshilli konstaton me keqardhje se qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit.

Këshilli rithekson se cilido që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjelljeje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore, duhet t’ia referojë atë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, por në asnjë rast nuk mund të cenohet dinijiteti i gjyqtarit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh bindjen se respektimi i gjyqtarëve dhe i funksionit e dinjitetit të tyre, sjell forcim të shtetit të së drejtës, si dhe rrit transparencën dhe përgjegjësinë e pushtetit gjyqësor.

 

 

Back to top