Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Në datat 23-25 maj 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi një vizitë tre ditore në Institucionin homolog, Këshillin e Lartë Gjyqësor Portugez, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave profesionale.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit të përbashkët të Këshillit të Evropës me temë “Forcimi i Efikasitetit dhe Cilësisë së Drejtësisë në Shqipëri” (SEJ III), pjesë e programit “Lehtësia Horizontale e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia II”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.

Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit shqiptarë të kryesuar nga Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami dhe përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Portugalisë diskutuan për çështje me interes të veçantë për sistemin gjyqësor dhe që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarëve, planifikimin strategjik, organizimin e strukturës dhe procedurat e brendshme, sistemin e menaxhimit të çështjeve, procedurat e disiplinës gjyqësore si dhe për rolin që luan Këshilli në mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit.

Delegacioni vizitoi gjithashtu Gjykatën e Lartë të Drejtësisë të Portugalisë, Qendrën e Trajnimit të Administratës Gjyqësore dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Lisbonës me fokus të veçantë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve të Portugalisë, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të reja e që mund të jenë pjesë e SMIC-it të ri që do të zhvillohet në Shqipëri.

Back to top