Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Prezantimi i sistemit të ri dhe inovativ online me qëllim vlerësimin e cilësisë të shërbimeve të drejtësisë, përmes anketave të kënaqësisë së përdoruesve

Sot, më datë 22.04.2022,  në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë,  u lançua sistemi i ri dhe inovativ online, i cili synon të mbledhë komentet e avokatëve, prokurorëve, ekspertëve, dëshmitarëve dhe palëve në një çështje gjyqësore, si dhe përdoruesve të shërbimeve administrative, me qëllim përmirësimin e shërbimit të drejtësisë.

Sistemi iu prezantua sot përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe mediave, në një aktivitet publik të organizuar nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Në fjalën e saj, znj. Llagami theksoi rëndësinë e sistemit të ri online për të vlerësuar cilësinë e shërbimeve të drejtësisë dhe për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta në funksionimin e gjykatave nga këndvështrimi i përdoruesve. Sot ne kemi një instrument që e administron Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili na jep mundësi të masim cilësinë e shërbimeve të ndryshme të gjykatave. Kjo përbën një risi për t’u përgëzuar,  prandaj dëshiroj të falenderoj Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e dhënë”, u shpreh Llagami.

Z. Flamur Kapllani, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në fjalën e tij përshëndetëse u fokusua në rëndësinë e këtij sistemi vlerësimi për përmrësimin e sistemit të drejtësisë. Ky pyetësor do na shërbejë për të identifikuar ato mangësi që gjykata nuk i sheh, dhe të mund t’i adresojmë këto mangësi duke përmirësuar shërbimet tona dhe qytetarët ta perceptojnë që drejtësia vërtet po jepet.”, theksoi Kapllani.

Znj. Jutta Gützkoë, Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj njohu progresin në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimit publik të drejtësisë që u ofrohet qytetarëve shqiptarë, në përputhje me vlerat evropiane si pjesë e rëndësishme e reformës së vazhdueshme në drejtësi.“Në këtë fazë të reformës në drejtësi, reagimet e përdoruesve të gjykatave, identifikimi i nevojave të tyre dhe vlerësimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara janë element kyç për të mbështetur gjykatat kombëtare për të ofruar shërbime të përmirësuara të drejtësisë për qytetarët shqiptarë”.

Z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në orcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ai përgëzoi Këshillin e Lartë Gjyqësor për mundësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor si dhe Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për këtë instrument, z. Perr, falenderoi gjithashtu, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për mbështetjen në pilotimin e këtij projekti për herë të parë në Shqipëri. “Përmes këtij pyetësori online  dhe rezultateve që ai ofron  ne synojmë, rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë si dhe përmirësimin e  imazhit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, përfundoi Perr.

Platforma online do të pilotohet në gjykatat e rretheve të Tiranës dhe Vlorës për t’u shtrirë më tej në gjykatat e mbetura me finalizimin e hartës së re gjyqësore. Përdoruesit e gjykatave mund të aksesojnë dhe plotësojnë anketën duke skanuar kodin QR nga tabelat e vendosura në gjykatë ose nëpërmjet faqeve përkatëse të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Matja e kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës në lidhje me aspektet kyçe të shërbimit të drejtësisë synon jo vetëm të rrisë përgjegjshmërinë dhe reagimin e administratës të gjykatës, por edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

I pari i këtij lloji në Shqipëri, sistemi është një iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor i zhvilluar me mbështetjen e projektit të BE/KIE për Forcimin e Efikasitetit dhe Cilësisë të Drejtësisë në Shqipëri, pjesë e nismës së përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019- 2022”.

Back to top