Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 17 Janar 2022

Sot, në datën 17.01.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Këshilli vendosi pranimin e marrëveshjes midis Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për procedimin disiplinor nr. 3/2021.

Pas procedurave të shortit, Këshilli caktoi në përbërjen e Komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, për vitin 2022, si anëtarë znj. Fatmira Luli, z. Alban Toro dhe z. Dritan Hallunaj, dhe si anëtarë zëvendësues z. Erjon Muharremaj dhe z. Klodian Kurushi.

Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e relatorëve në procedurat e verifikimit të kancelarëve në detyrë në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe të posaçëm, të papërfunduara për shkak të mbarimit të mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Medi Bici dhe caktimin e  relatorëve në procedurën e verifikimit të dy kandidatëve për në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për këshilltarë dhe ndihmës ligjor, në vitet akademike 2020-2021 dhe 2021-2022.

Këshilli vendosi deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të pozicionit, të pasurisë dhe figurës, për kancelaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…} dhe për kancelarin e Gjykatës të Rrethit Gjyqësor {…}.

Në vijim, Këshilli vendosi caktimin e z. Maksim Qoku, si relator për zhvillimin e procedimit disiplinor nr.1/2021, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Apelit {…} dhe znj. Marçela Shehu, si relatore për zhvillimin e procedimit disiplinor nr.8/2021, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistratit {…} me detyrë gjyqtar në Gjykatën Rrethit Gjyqësor {…}.

Gjithashtu, pas procedurave të shortit, Këshilli vendosi caktimin e relatorit në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të papërfunduara për shkak të mbarimit të mandatit të anëtares së Këshillit znj. Brunilda Kadi dhe zëvendësimin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve.

Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përzgjedhjes për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 30, datë 25.01.2021.

Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative të shpallur me vendimin nr. 82, datë 26.02.2020, për kandidatin z. Sokol Ibi dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 394, datë 07.10.2020, për kandidaten znj. Rezarta Aliu.

Në vijim, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqim të gjyqtarit z. Gjergji Baçi dhe  anulimin e vendimit nr.464, datë 01.12.2021 të Zëvendëskryetarit të  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit si gjyqtar të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që pritet të diplomohen në vitin akademik 2021-2022 dhe fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar.

Pas kryerjes së procedurave të shortit, Këshilli vendosi ndryshimin e disa vendimeve, në lidhje me caktimin e relatorëve për vijimin e procedurave të verifikimit, për shkak të mbarimit të mandatit të anëtarit të Këshillit të z. Ilir Toska.

Në përfundim, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionet e lira të shpallura me vendimet e datës 17.11.2021 dhe fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 571, datë 07.12.2021.

Back to top