Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 7 Dhjetor 2021

Sot, në datën 07.12.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në kuadër të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi kualifikimin z. Sokol Ngresi dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, si dhe kualifikimin e kandidatit fitues për këshilltar ligjor, në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2021 – 2022, z. Leonard Kryeziu.

Gjithashtu, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatit z. Engert Pëllumbi dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Apelit, për një pozicion të lirë, rihapjen e procedurës së komandimit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve.

Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 389, datë 07.10.2020, si dhe miratoi dhënien e lejes të papaguar për gjyqtaren znj. Zeta Tërpollari.

Në funksion të përmirësimit dhe zhvillimin të sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit për përdorim në gjykata, Këshilli miratoi nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë mbi zbatimin e projektit pilot “Përdorimi i postës elektronike për dërgimin e fletëthirrjeve nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë tek avokatët”.

Në kuadër të plotësimit të pozicioneve të lira, pas kryerjes së procedurave ligjore, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur në datën 01.04.2021.

Për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 120, datë 01.04.2021:

1. Znj. Igerta Hysi

Këshilli miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare dhe në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Back to top