Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 25 Tetor 2021

Sot, në datën 25.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj magjistratëve {…} dhe {…}, me detyrë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit {…}, Këshilli vendosi pezullimin e procedimit disiplinor ndaj tyre, deri në përfundimin e procedurës së rivlerësimit kalimtar me vendim të formës së prerë.

Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Rezarta Aliu dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, si dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, për kandidatin z. Sokol Pina.

Në vijim, Këshilli vendosi pranimin në shërbimin civil gjyqësor, në pozicionin e këshilltarëve ligjorë në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Lartë, të znj. Inesa Çela (Elezi), znj. Edlira Llango, z. Metush Meçka dhe znj. Evriklejda Semani.

Këshilli miratoi një shtesë në vendimin e tij nr. 217, datë 26.05.2021, duke shtuar edhe një kandidate në procedurën e verifikimit të kandidatëve fitues në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar në shkollën e magjistraturës, për këshilltar dhe ndihmës ligjorë, viti akademik 2021-2022.

Me kërkesë të disa gjykatave, Këshilli vendosi nxjerrjen nga përdorimi të disa aktiveve në disa gjykata ashtu si dhe transferimin e automjeteve të reja dhe atyre në përdorim brenda sistemit gjyqësor.

Në kuadër të mbarëvajtjes së sistemit gjyqësor, Këshilli vendosi zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit për gjyqtarët:

Z. Engert Pëllumbi, në Gjykatën e Apelit Vlorë;
Z. Florjan Kalaja, në Gjykatën e Apelit Durrës;
Z. Sokol Pina, në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Këshilli vendosi përfundimin pa vendim përfundimtar të procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, viti kalendarik 2019, për gjyqtaren Mariana Shegani dhe miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare.

Back to top