Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 12 Nëntor 2020

Sot në datën 12.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për shkak të mosparaqitjes për arsye shëndetësore të magjistratit, Këshilli vendosi të shtyjë seancën për datën 26 Nëntor 2020.

Pas shqyrtimit të kërkesës për leje të papaguar për një afat të caktuar, për shkak të përkujdesit për fëmijët e mitur, Këshilli vendosi dhënien e lejes së papaguar për znj. Alda Sadiku, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe znj. Suela Lika, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.

Në vijim, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse, si dhe me qëllim dhënien e ndihmës dhe lehtësimin e punës në gjykatat e apelit të vendit, Këshilli vendosi detajimin e pozicioneve aktuale të ndihmësve ligjorë nga gjykatat administrative të shkallës së parë pranë gjykatave të apelit të vendit si dhe emërimin e përkohshëm në pozicionin e këshilltarit ligjor në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që kanë përfunduar programin e formimit fillestar 2019-2020 në Shkollën e Magjistraturës dhe konkretisht z. Metush Meçka, znj. Edlira Llango, z. Gerti Shani dhe znj. Evriklejda Semani.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së verifikimit për shkak të dorëheqjes, për z. Ilir Korbi, kandidat për ndihmës ligjor për fillimin e programit të formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Në kuadër të mirëadministrimit dhe menaxhimit të fondeve të buxhetit gjyqësor, Këshilli vendosi rishpërndarjen e fondeve buxhetore në shpenzime operative, për disa gjykata të vendit.

Në përfundim, në përputhje me detyrimet ligjore, Këshilli miratoi listën e gjyqtarëve kandidatë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, listë e cila do i përcillet menjëherë Presidentit të Republikës, në funksion të zhvillimit të procedurave të shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

 

Back to top