Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 28 Maj 2020

Sot me datë 28.05.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme.
Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për tre pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të mos paraqitjes së kandidaturave pas përfundimit të afateve të shpalljes sipas vendimeve nr.94, nr.95, nr.96 datë 26.02.2020.
Në vijim Këshilli vendosi konstatimin e plotësimit të kushteve dhe kritereve të kandidimit dhe dërgimin Shkollës së Magjistraturës të emrit të gjyqtares znj. Teuta Hoxha për t’u komanduar si pedagog i brendshëm.
Gjithashtu Këshilli vendosi miratimin e listës së gjyqtarëve pjesëmarrës në trajnimin vazhdues pranë kësaj shkolle për periudhën Prill-Qershor 2020 si dhe caktimin e komisionit përkatës për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore në provimin e pranimit, për vitin akademik 2020-2021, të kandidatëve magjistratë.
Më tej, Këshilli me shumicë votash, vendosi pezullimin e procedurave të lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë, emërimit të punonjësve të gjykatave, statusi i të cilëve rregullohet nga ligji nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” deri në hartimin e akteve nënligjore të përcaktuara nga ligji.
Në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tij dhe mirëmenaxhimit të fondeve e aseteve, Këshilli vendosi detajimin e fondeve shtesë në shpenzime personeli si dhe transferimin kapital të disa automjeteve në gjykata.
Pas fillimit të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si dhe në zbatim të detyrimeve ligjore, Këshilli vendosi ngritjen e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës dhe mbylljen e hetimit ndaj gjyqtarit”.
Në përfundim pas një pune të madhe në hartimin dhe miratimin e kuadrit rregullator nënligjor të parashikuar nga Reforma në Drejtësi, nisur nga nevoja për plotësimin e vendeve vakante në gjykatat e apelit dhe me qëllim shqyrtimin në kohë të çështjeve gjyqësore dhe shërbimi cilësor ndaj qytetarëve, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë të gjyqtarëve për 16 pozicione të lira në gjykatat e apelit. Më konkretisht: 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 2 në Korçë, 1 në Shkodër, 7 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 2 në Gjykatën Administrative të Apelit.

 

 

Back to top