Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 23 Janar 2020

Sot më datë 23.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme.

Duke mbajtur në konsideratë detyrimin ligjor dhe pas analizimit të situatës në të cilën është sistemi gjyqësor, ndikimin që ka implementimi i reformës në drejtësi dhe mundësisë që ka Shkolla e Magjistraturës, Këshilli miratoi numrin prej 40  kandidatë për magjistratë dhe 25 kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.

Në vijim Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesat për dorëheqje të gjyqtarëve A.L, N.GJ. dhe P.Dh. dhe mbarimin e statusit të tyre të magjistratit, si dhe  konfirmimin si ndihmësmagjistrat me afat 1 (një) vjeçar pranë Gjykatës së Lartë të z.E.P.

Gjithashtu Këshilli vendosi ti njohë të drejtën znj.A.H. të zgjedhë për t`u caktuar në pozicion, në një nga vendet vakante në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të  shkallës së parë.

Në vijim të vendimmarrjes për funksionimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi caktimin në pozicion në mënyrë të përhershme pranë kësaj gjykate të gjyqtares znj. D.Sh., dhe përfundimin e caktimit të përkohshëm në këtë gjykatë të gjyqtares znj. M.B., transferimin e saj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorin e caktuar për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidates K.K.. Kandidatja ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Back to top