Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 21 Janar 2020

Sot, më datë 21.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi lidhur me situatën e krijuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilat funksionojnë me organikë jo të plotë sipas ligjit.

Në këtë kuadër, Këshilli pasi shqyrtoi edhe kërkesat e këtyre gjykatave për të patur një qëndrim lidhur me gjyqtarët e gjykatave me jurdiksion të përgjithshëm të cilët janë caktuar më herët për gjykimin e çështjeve të veçanta në ish-Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, vendosi që këta gjyqtarë të vazhdojnë të shqyrtojnë çdo kërkesë proçeduriale që lidhet me të drejtat dhe liritë themelore të të pandehurit/ve, në çështjet e veçanta në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjithashtu Këshilli shqyrtoi edhe kërkesat e disa gjykatave të vendit për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në këto gjykata. Në këtë mënyrë Këshilli i jep zgjidhje ecurisë së çështjeve gjyqësore që presin për t`u shqyrtuar për shkak të vakancave të shkaktuara nga proçesi i vettingut dhe dorëheqja e gjyqtarëve, me qëllim dhënien e drejtësisë pa vonesa ndaj qytetarëve.

Back to top