Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot më datë 12 shtator 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, dhe me mbështetjen e vyer të projektit “Drejtësi për të Gjithë” të USAID, organizuan ceremoninë e përfundimit të programit trajnues për kancelarët në detyrë.

Sot më datë 12 shtator 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, dhe me mbështetjen e vyer të projektit “Drejtësi për të Gjithë” të USAID, organizuan ceremoninë e përfundimit të programit trajnues për kancelarët në detyrë. Në të morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi, përfaqësues të Lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, u shpreh se: “Reforma në drejtësi nuk është vetëm për gjyqtarët. Është për të gjithë ne! Është mbi të gjitha për qytetarët! Në këtë kontekst dhe kancelarët e stafi i gjykatave janë pjesë e rëndësishme e suksesit të përpjekjeve të përbashkëta për zbatimin në praktikë të reformës si dhe për ndërtimin e një systemi gjyqësor me integritet; profesionalizëm, efiçencë dhe pavarësi. Organizimi dhe përmbyllja me sukses i programit të thelluar trajnues, i pari i këtij lloji,  për kancelarët në detyrë tregon edhe njëherë se reforma në drejtësi po fillon të japi frytet e saj duke forcuar dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e një gjenerate të re nëpunësish gjyqësor, dhe më specifikisht kancelarëve të gjykatave shqiptare. ”

Në vijim, ceremoninë e përshëndeti gjithashtu edhe Zv. Shefi i Misionit në Detyrë z. Dan Koski dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi.

Zoti Koski ndër të tjera u shpreh se: “Sot jemi këtu për të vlerësuar një tjetër hap përpara drejt zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri: përfundimin me sukses të Programit Veror për Administrimin e Gjykatës. Reforma e gjyqësorit në Shqipëri është një prioritet kyç i Shteteve të Bashkuara. Çdo njeri ka të drejtën e një gjyqi të paanshëm dhe çdo entitet – përfshi edhe kompanitë amerikane – ka të drejtën e një gjykimi të drejtë nga një sistem gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, dhe të bazuar në ligj… Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë punën mbi reformën në drejtësi me njerëzit dhe komunitetet në Shqipëri”.

Eventi i sipërpërmendur u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për 32 kancelarët që ndoqën me rigorozitet programin trajnues të kancelarëve në detyrë. Ky i fundit kishte një përmbajtje prej 9 modulesh e një kohëzgjatje 8 (tetë) javore përkatësisht nga 6 qershor deri në 26 korrik 2019.

Back to top