Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 11 Shtator 2019

Sot më datë 11.09.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Konkretisht, KLGJ shqyrtoi projektvendimet për verifikimin e kushteve dhe kritereve për 14 kandidatë për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur. Bazuar në shqyrtimin dhe verifikimin të dokumentacionit të kandidatëve, Këshilli vendosi skualifikimin dhe përjashtimin nga procedura e emërimit në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve, z. Sergjo Mazreku, z. Ndue Pjetra, z. Ergys Misha, znj. Aldona Sylaj, z. Jordan Daci, znj. Lindita Troja, znj. Alma Loci, znj. Hermina Albunesa, z. Agron Lamaj, znj. Irena Nino, znj. Vjosa Bodo Mujo, z. Shaqir Hasanaj, z. Anton Lleshaj dhe z. Altin Binaj, dhe kjo për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore, ose për shkak të tërheqjes vullnetare nga procesi. Kandidatët gëzojnë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të KLGJ-së. Në përputhje me procedurën, do të vijohet me procesin e verifikimit për 8 kandidatët e mbetur në garë, në përfundim të këtij procesi, Këshilli do të vendosi për kualifikimin ose jo, për secilin kandidat.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shpalli procedurën e emërimit në Gjykatën e Lartë dhe hapjen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave, nga radhët e juristëve të spikatur, për një pozicion të lirë, në fushën e të drejtës civile. Kandidatët që do të shprehin interesin e tyre brenda dy javëve nga dita e publikimit të këtij vendimi në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të eksperiencës profesionale, të pasurisë dhe figurës. 

Bazuar në kërkesën e Këshillit për Emërimet në Drejtësi, referuar volumit të punës që paraqet procesi i verifikimit e vlerësimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përjashtimin e gjyqtarëve njëkohësit anëtarë të KED, Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, nga procedura e ndarjes së çështjeve me short në Gjykatat ku ato ushtrojnë funksionin.

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, bazuar në propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Gentian Marku, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, si dhe ndërprerjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Besmir Stroka, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e mëparshëm.

Back to top