Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në aktivitetin e përbashkët me titull: “90 vjetori i Kodit të parë Civil Shqiptar (1929)

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në aktivitetin e përbashkët me titull: “90 vjetori i Kodit të parë Civil Shqiptar (1929) Përqasje historike dhe aktuale”, organizuar në kuadër të 106 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

Në aktivitetin e organizuar nga Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Misioni EURALUIS V, ishin të pranishëm anëtarë të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të Apeleve dhe gjykatave të Rretheve Gjyqësore, magjistratë, pedagogë të Shkollës së Magjistraturës, prokurorë, etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse me këtë rast, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami, u shpreh se përvjetor shënon disa nga arritjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në 106 vitet e fundit, të cilat lidhen me krijimin e institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë, të cilat krijojnë garancitë institucionale për një pushtet gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas. Në këtë kontekst, Znj. Llagami theksoi se këto arritje nuk janë as fillimi as fundi, por një moment i rëndësishëm historik i cili erdhi si një nevojë sociale dhe si një lëvizje transformuese në sistemin e drejtësisë. Në vijim të fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami, e konsideroi si tepër të rëndësishme adresimin e sfidave përmes të kuptuarit të mësimeve të nxjerra nga problemet e evidentuara.

Duke u ndalur tek Kodi Civil i vitit 1929, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami u shpreh se në simbolikën e tij sot, ky kod shënon një moment historik për drejtësinë shqiptare i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe shpallja e pavarësisë. Në këtë kontekst, në fund të fjalës së saj, Znj. Llagami theksoi se Kodi Civil i vitit 1929, shënon lindjen e një shteti dhe drejtësie moderne bazuar mbi burimet më të avancuara të kohës.

Back to top