Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Sot, më datë 11.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi "Konferencën Rajonale mbi Administrimin e Gjykatave dhe Menaxhimin e Çështjeve". Kjo konferencë u mundësua në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, dhe me mbështetjen e projekteve të BE/Këshillit të Evropës për “Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë” dhe të USAID “Drejtësi për të Gjithë”.
Ky aktivitet i rëndësishëm shërbeu si një mundësi për organet qeverisëse të gjyqësorit, administratorët e gjykatave dhe profesionistë juristë nga vendet e Ballkanit për të shkëmbyer përvojat e tyre në administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve gjyqësore. Ai synoi krijimin e një platforme për këshillat gjyqësorë në rajon për të diskutuar sfidat, mësimet e nxjerra dhe praktikat më të mira në rajon. Në këtë konferencë morën pjese mbi 60 të ftuar duke përfshirë dhe anëtarë të Këshillave Gjyqësore nga Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
 
Në fjalën e saj përshëndetëse, ndërsa nënvizoi rëndësinë që mbartin konferenca të tilla, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, u shpreh se mirë-administrimi i gjykatave është një nga objektivat kryesore të institucionit që drejton. Si i tillë, mirë-administrimi gjyqësor, nuk është një çështje periferike, por është në themel të pavarësisë së sistemit gjyqësor. 
Me tej, znj. Llagami, falenderoi bashkë-organizatorët e kësaj konference, dy organizata të rëndësishme që krijojnë standarde dhe praktikave të mira në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, përkatësisht Këshillin e Evropës dhe OSBE. Ajo shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë ofruar jo vetëm një mbështetje  teknike e financiare, por edhe një mbështetje të vazhdueshme morale. 
Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së vlerësoi rolin e shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët kanë ndjekur dhe monitoruar reformën në drejtësi duke qenë kërkues ndaj institucioneve të reja dhe theksoi se qytetarët do të japin besimin e tyre vetëm bazuar në rezultate konkrete.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Maksim Qoku, anëtarët znj. Brikena Ukperaj dhe z. Dritan Hallunaj, priti sot me datë 11.11.2019, një delegacion nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës në Itali, kryesuar nga z. David Ermini, Zëvendës-President i Këshillit, anëtarët  znj. Concetta Grillo dhe z. Michele Cerabona, ambasadori i Italisë në vendin tonë, ShTZ. Alberto Cutillo, ekspertë dhe drejtues administrativ.
Pasi i uroi mirëseardhjen, znj. Llagami i bëri një prezantim të shkurtër të sfidave që ka gjyqësori në kuadër të reformës në drejtësi. Pasi e njohu më punën voluminoze, znj. Llagami vuri theksin tek angazhimi i të gjithë anëtarëve të KLGJ-së për kryerjen me përgjegjësi të detyrave kushtetuese, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, rritjen e transparencës dhe parandalimin e fenomeneve që dëmtojnë imazhin e trupës gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
Pasi falënderoi për mikpritjen përfaqësuesit e KLGJ-së, Zëvendës-Presidenti i Këshillit, z. David Ermini, vlerësoi si të rëndësishme thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve, me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira.
Pas propozimit të Kryetares së KLGJ-së, bashkëbiseduesit ranë dakord të shikojnë me përparësi mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi midis dy Këshillave.  
Disa nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara në këtë takim ishin ato të krijimit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.

Sot më datë 12.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin z. E.Q., Këshilli vendosi skualifikimin e tij.  Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
 
Më tej Këshilli, pasi verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, vendosi skualifikimin e kandidatit F.D. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, Këshilli pasi verifikoi kushtet dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, vendosi të kualifikoi kandidatin z. Hazbi Balliu.  
 
Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi kualifikimin e kandidatëve z. Ervin Pupe, z. Ilir Panda dhe z. Sokol Sadushi.  
 
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.
Sot më datë 13.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr.108, 109, 110 datë 09.07.2019 dhe vendimit nr. 172 datë 11.09.2019, të KLGJ-së. Pas kësaj vendimmarrje, Këshilli përmes një shorti transparent dhe në prani të mediave, caktoi relatorët për secilin vend vakant të shpallur me vendimet nr.108, 109, 110 datë 09.07.2019 dhe vendimit nr. 172 datë 11.09.2019, të KLGJ-së.
 
Pas hedhjes së shortit u vendos si më poshtë vijon:
 
Caktimi i z. Alban Toro, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.108, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.  
 
Caktimi i znj. Marcela Shehu, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.109, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.  
 
Caktimi i z. Ilir Toska, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.110, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.  
 
Caktimi i z. Dritan Hallunaj, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.172, datë 11.09.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Sot me datë 13.11.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.   Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Llagami, pasi i uroi suksese në rrugëtimin e tyre profesional, u shpreh se diplomimi i sa më shumë juristeve është lajm i mirë për drejtësinë Shqiptare.   Si një e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Kryetarja e KLGJ-së, vuri theksin tek nevoja që ka sot sistemi i drejtësisë për qytetarë që njohin ligjin dhe dinë ta përdorin atë si mjet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.   Në fund të fjalës së saj, teksa ndau me të diplomuarit një refleksion personal, Kryetarja e KLGJ-së, tha se: “Dua të ndaj me ju se vite më parë kur u diplomova nga ky fakultet kisha një ëndërr. Të prekja drejtësinë! E di që edhe ju keni sot të njëjtat ëndrra! Të prekni drejtësinë! Mos e harroni këtë ëndërr sepse ajo do t’ju bëjë ata që do të jeni nesër”.

Sot më datë 21.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi dy vendime të rëndësishme duke plotësuar kështu kuadrin rregullator nënligjor të Vlerësimit periodik etik-profesional të gjyqtarëve. Më konkretisht, me propozim te Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale, në respektim të parimeve, të pavarësisë, meritokracisë, zhvillimit të karrierës, efikasitetit, procesit të rregullt ligjor dhe konfidencialitetit, Këshilli vendosi miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve. Ai miratoi dhe një metodologji  pikëzimi me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarëve për secilin kriter dhe treguesit përkatës ligjor.
 
Miratimi i këtyre akteve mundëson krijimin e një sistemi të ri të vlerësimit të gjyqtarëve, të bazuar në kritere objektive si aftësitë profesionale, organizative dhe integritetit moral të gjyqtarëve. Me miratimin e tyre, hapet rruga për fillimin e procesit të vlerësimit periodik të të gjithë gjyqtarëve duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.
 
Bazuar në rendin e ditës, Këshilli miratoi kërkesën e gjyqtares znj. Yrfet Shkreli, për përjashtim nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.
 
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.

Për shkak të situatës së krijuar si rrjedhojë e lëkundjeve sizmike, duke patur prioritet kryesor sigurinë e qytetarëve dhe të personelit të gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se nuk do të zhvillohen gjyqe në gjykatat që ndodhen në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lezhë, Laç, deri sa autoritetet kompetente të konfirmojnë përshtatshmërinë e godinave respektive. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e gjykatave për çdo zhvillim të mëtejshëm.

 

Në vijim të njoftimit të datës 26 nëntor, për shkak të situatës së krijuar si rrjedhojë e lëkundjeve sizmike, pas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesit e gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas zhvillimit të disa mbledhjeve, vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarkun Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

 

Më konkretisht, me vendimin nr. 271, datë 04.12.2019, KLGJ vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në datën 05.12.2019 për disa gjykata, si më poshtë:

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë (dhoma penale dhe civile);

 

Gjykata e Apelit Tiranë;

 

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë;

 

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë;

 

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë;

 

Gjykata e Rrethi Gjyqësor Durrës;

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë;

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë;                                                                                     

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin.

 

Me vendimin nr. 273, datë 05.12.2019, KLGJ vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në datën 05.12.2019 të Gjykatës Administrative të Apelit. Gjithashtu me vendimin nr. 274, datë 06.12.2019, KLGJ vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në datën 06.12.2019 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës.

 

Në kushtet kur godina e Gjykatës së Apelit Durrës është e papërshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë së saj, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 275, datë 06.12.2019, vendosi si më poshtë vijon:

 

 

 

  1. Rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës.

 

2.Transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës pranë godinës ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë.

 

3.Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës dhe kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë të marrin masa për krijimin e kushteve të duhura në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi.

 

4.Kryetarët e gjykatave nën juridiksionin e Gjykatës së Apelit Durrës, në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi të dërgojnë dosjet gjyqësore në selinë e re të përkohshme të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe të marrin masa për të garantuar aksesin në gjykatë duke informuar publikun për transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës.

 

Kryetarja e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami, në datat 5-6 Dhjetor 2019, mori pjesë në “Workshop-in e dedikuar vlerësimit profesional të gjyqtarëve”. Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Europian për Këshillat Gjyqësor në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Magjistraturës Italiane, në Romë.

Gjatë Workshop-it dy ditor u mbajtën prezantime mbi çështjet më të rëndësishme si qëllimi, kriteret dhe procedurat apo dhe organi përgjegjës për kryerjen e vlerësimit profesional të gjyqtareve në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryetarja e KLGJ-së, bëri një prezantim gjithëpërfshirës mbi risitë e reformës në drejtësi në Shqipëri duke përfshirë si procesin e jashtëzakonshëm të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe skemën e re të vlerësimit profesional të gjyqtarëve të miratuar rishtazi nga Këshilli Lartë Gjyqësor. Ky prezantim u prit me shumë interes nga dëgjuesit dhe znj. Llagami shoi kureshtjen e tyre duke ju përgjigjur me detaje pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve.

Sot më datë 10.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, Këshilli, miratoi programin e vlerësimeve etike dhe profesionale për vitin 2020, i cili përmban listën e gjyqtarëve që do të vlerësohen dhe periudhën e vlerësimit përkatës. Me këtë vendimmarrje, i hapet rruga fillimit të procesit për vlerësimin periodik të të gjithë gjyqtarëve, duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.
 
Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi në pozicionin e Gjyqtarit për Mediat, për çdo juridiksion apeli, gjyqtarët e mëposhtëm: 
 
Vojsava Osmanaj-juridiksioni i Apelit Shkodër
Edlira Petri -juridiksioni i Apelit Tiranë
Desart Avdulaj-juridiksioni i Apelit Durrës
Klodiana Gjyzari-juridiksioni i Apelit Vlorë
Etleva Temo - juridiksioni i Apelit Korçë
Enton Dhimitri- juridiksioni i Apelit Gjirokastër
Lindita Sinanaj - juridiksioni i Apelit Administrativ
Saida Dollani -juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda / për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 
Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, të L.S, K.B, dhe T.S, si dhe shpalli kërkesën për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Ministrinë e Drejtësisë. 
 
Për shkak të natyrës konfidenciale të materialeve që u trajtuan në pikën 5 dhe 6 të rendit të ditës, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Më konkretisht, pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin z. E.L., Këshilli vendosi skualifikimin e tij.  Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
 
Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidateve J.RR dhe R.M. Kandidatet kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Faqe 7 nga 7