Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Njoftim mbi shpalljen e fituesit në procedurën e ngritjes në detyrë dhe pranimit nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e mesme drejtuese

Në zbatim të nenit 26 të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar; Kreut II pika 28, 31 të VKM nr. 242, datë 18.03.2015 “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, i ndryshuar; Urdhrit nr. 200, datë 16.8.2019 “Mbi hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, për kandidatë nga jashtë shërbimit civil” dhe në përfundim të konkurrimit për vend të lirë pune, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, të ngritjes në detyrë dhe të pranimit nga jashtë shërbimit civil, për kategorinë niveli i mesëm drejtues (të tre procedurat zhvillohen në të njëjtën kohë) ju njoftojmë se për:

8 (tetë) vende, në pozicionin Këshilltar, në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve të Përhershme (Kategoria II-b, Niveli i Mesëm Drejtues), pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor

Kandidatët fitues të procedurës së ngritjes në detyrë janë:

Kandidatët fitues të procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil janë:

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

Sot më datë 02.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën miratoi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, të 20 kandidatëve si më poshtë:

1.  Z. Albert Keraj          

2.   Z. Ledio Sali              

3.  Znj. Dorina Stroka     

4.  Z. Klarent Demiri       

5.  Znj. Suada Kurti       

6.  Z. Orgent Nazaj         

7.  Z. Edison Tatoshaj    

8.  Z. Sokol Mara            

9.   Z. Albana Misja         

10.  Znj. Megi Strakosha   

11.  Z. Rudi Laze              

12.  Z. Nertil Dushku        

13.  Z. Elton Frashëri        

14.  Znj. Ina Bajramaj                   

15.  Z. Dejvi Çelçima        

16.  Znj. Ermelinda Fejzo 

17.  Znj. Eva Hysko                      

18.  Znj. Emirjana Dimo   

19.  Znj. Gentiana Shukullari        

20.  Znj. Lirëza Sinollari   

Gjithashtu, Këshilli miratoi procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, për kandidatët nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.172, datë 11.09.2019. Duke iu referuar emrave të  kandidatëve u konstatua se vetëm një kandidat kishte aplikuar rishtaz. Në këto rrethana, Këshilli vendosi caktimin e relatorit vetëm për këtë kandidat. Kjo vendimmarrje i hap rrugën procesit të verifikimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit për kandidatët nga jashtë sistemit gjyqësor, që kanë aplikuar për të qenë anëtarë në Gjykatën e Lartë, bazuar në vendimin nr.172, datë 11.09.2019.

 

Sot më datë 11.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Konkretisht, Këshilli vendosi komandimin për një periudhë 2 vjeçare në strukturën e këshilltarëve ligjorë në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve të KLGJ-së, të gjyqtareve znj. Rudina Palloj dhe znj. Flojera Davidhi.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës gjyqësore dhe të rregullave të sjelljes të gjyqtarëve, si dhe për mbikëqyrjen e respektimit të tyre,

Këshilli, caktoi gjyqtaren znj. Albana Boksi, në pozicionin e Këshilltares së Etikës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli miratoi metodologjinë për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë. Akti i miratuar sot ka trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi çdo element të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, duke mundësuar kritere të qarta dhe transparente, një vlerësim objektiv, si dhe një procedure  të saktë e cila garanton të drejtat e kandidatëve në këtë proces.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidaten znj. Dajana Ndreja.

Bazuar në rendin e ditës, Këshilli miratoi kërkesën e gjyqtares znj. Suela Xhani, për përjashtim nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Sot më datë 17.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi dy vendime të rëndësishme. Më konkretisht Këshilli, bazuar në kërkesat e dërguara nga Gjykata e Lartë, deri më datë 16.10.2019, caktoi 4 gjyqtarë për gjykimin në përputhje me afatet ligjore, të pesë çështjeve gjyqësore me objekt: Ekstradimin, miratimin e ekstradimit dhe lejimin e ekstradimit. Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, Këshilli është angazhuar seriozisht për të trajtuar në një kohë sa më të shpejtë, çdo kërkesë për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidaten znj. Gladiola Bregu.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga anëtarët z. Erjon Muharremaj dhe znj. Brunilda Kadi, morën pjesë në një vizitë studimor​e në Helsinki, Finlandë, në datat 14-17 tetor 2019. Vizita studimore e para e këtij lloji për drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kishte si qëllim njohjen me praktikat më të mira të administrimit të sistemit gjyqësor të Finlandës, në kuadër të projektit norvegjez për asistencën ndaj sistemeve gjyqësore të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Delegacioni shqiptar bëri një prezantim të shkurtër mbi risitë e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve në Shqipëri, si dhe njohu të pranishmit me rezultatet dhe sfidat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kuadër të reformës në drejtësi. Gjatë vizitës studimore u trajtuan tematika të tilla si: procesi i vlerësimit të veprimtarisë së gjykatave, eficienca e proceseve gjyqësore, përdorimi i teknologjisë së informacionit për të lehtësuar punën e gjykatave, etj.

Sot më datë 22.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, Këshilli pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, miratoi statusin individual për 7 nga 9 inspektor të ish-KLD-së. Dy prej tyre do të trajtohen në mbledhjen pasardhëse.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatit nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidatit z. Theodhor Sollaku. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi komandimin e znj. Tereza Lani (Merkaj) si pedagoge e brendshme, në Departamentin e Formimit Fillestar, të Shkollës së Magjistraturës.

Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares Eneida Civici, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, si dhe konfirmoi si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë të gjyqtarit Florjan Kalaja dhe zgjatjen e mandatit të komandimit me 1 (një) vit

Sot më datë 24.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën miratoi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, të 12 (dymbëdhjetë) kandidatëve diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, për profilin gjyqtar, në përfundim të vitit akademik 2018-2019.

Procedura e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore u bë në përputhje me vendimin Nr. 75, datë 23.05.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për rekrutimin si gjyqtar të kandidatëve, si më poshtë:

Znj. Erlanda Agaj, z. Marko Boshku, znj. Elisabeta Gjoni, znj. Klejda Çapja, z. Artur Prenga, z. Mirjan Mustafaj, znj. Kostandina Kuro, znj. Iva Zemani, znj. Enisa Shahini, znj. Ema Shaholli, z. Shkëlzen Licaj dhe z. Xhevdet Lika.

Vendim i sotëm i KLGJ-së merr një rëndësi të veçantë, nëse mbahen parasysh efektet dhe mungesat e krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar, nevojat e sistemit për kontributin profesional të këtyre magjistratëve të rinj për t’u ofruar qytetarëve shqiptar një drejtësi siç e meritojnë dhe pa vonesa.

Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës, znj. Joana Qeleshi, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit.

Sot, më datë 25.10.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, mori pjesë në panairin “Shoqëria Civile për Drejtësinë” i organizuar në kuadër të përfundimit të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendrën e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Llagami u shpreh se shoqëria civile duhet të jetë partnere dhe aleate në sfidën e përbashkët për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë. Duke vlerësuar partneritetin me shoqërinë civile, znj. Llagami tha se së bashku mund të arrihen objektivat dhe qëllimet e reformës në drejtësi. Në këtë kontekst znj. Llagami u shpreh se pavarësisht roleve të ndryshme, objektivi i përbashkët i Institucioneve dhe shoqërisë civile është një drejtësi më pranë qytetarëve.

Në këtë panair, Organizatat e Shoqërisë Civile që punojnë në fushën e Drejtësisë, ndanë me pjesëmarrësit, gjetjet, arritjet dhe rekomandimet kryesore mbi reformën në drejtësi dhe zbatimin praktik të saj. Gjatë këtij aktiviteti organizatat e sipërpërmendura, do ti ofrojnë qytetarëve informacion në lidhje me ndihmën juridike falas, ndërmjetësimin, dhunën me bazë gjinore dhe të drejtat e fëmijëve.

Sot më datë 29.10.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës e cila nisi me shqyrtimin e kërkesës për rikthimin në detyrë të gjyqtarit Guximtar Boçi. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi pezullimin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga gjyqtari Guximtar Boçi, për rikthimin e tij në funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe në detyrën e gjyqtarit për shkak se kërkesat janë për shqyrtim para Gjykatës Administrative të Apelit.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli vendosi rrefuzimin e kërkesës së z. Tunxh Vatnikaj, për kthimin në funksionin e gjyqtarit. Gjithashtu, Këshilli miratoi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar të kandidatit z. Ligoraq Toshi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi sot, në 30 Tetor 2019, takimin e parë koordinues të nivelit të lartë me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Ky takim vjen në vazhdimësi të miratimit të Planit Strategjik i cili përcakton prioritetet dhe objektivat e punës së Këshillit për vitet 2019-2020! Pasi u konsultua me gjyqtarët, shoqërinë civile dhe Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli kërkoi mbështetjen e partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, për 3 nga prioritetet kryesore që ka sot drejtësia shqiptare. Këto prioritete lidhen me nevojat për vendosjen e standardeve cilësore të shërbimeve në gjykata, sistemeve moderne të administrimit të çështjeve dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Fjala e plotë e Kryetares së KLGJ-së, znj. Naureda Llagami, në aktivitetin “Donor Coordination meeting”

 

Mirëmëngjesi të gjithëve!

 

Të nderuar Ambasadorë,

 

Të nderuar përfaqësues të misioneve të huaja në Shqipëri,

 

Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

 

Të nderuar kolegë,

 

Më lejoni t’ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës!

 

Siç e dini, Këshilli ka miratuar një plan strategjik i cili ka përcaktuar prioritetet e Këshillit për vitet 2019-2020 !

 

Prioritete që i kemi diskutuar me gjyqtarët;

 

Me shoqërinë civile;

 

Dhe që i kemi harmonizuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Strategjinë Ndër-Sektoriale të Drejtësisë!

 

Nuk është sekret që Këshilli është përballur edhe do të përballet në këto dy vjet me objektiva afat-shkurtra që lidhen me funksionimin normal të gjyqësorit!

 

Ashtu edhe me objektiva afat-gjata të cilat lidhen me vendosjen e standardeve, sistemeve, dhe mbi të gjitha të besimit tek Këshilli, gjykata, gjyqtari dhe tek drejtësia!

 

Kjo e fundit është edhe më e vështira!

 

Po nuk pretendojmë besim pa dy të parat!

 

Sistemi dhe standardet janë ato që jo vetëm palët por edhe çdo qytetar mund t’i shohë, prekë, masë dhe vlerësojë!

 

Prandaj do të doja të diskutoja me ju sot edhe në vazhdim.

 

Jo nevojat që ka Këshilli!

 

Ne kemi ngritjen e kapaciteteve të Këshillit në strategji, por jo nuk do të diskutojmë për këtë sot!

 

Ju e dini që ne punojmë fort!

 

- 241 vendimmarrje në tërësi;

 

- 40 rregullore dhe akte normative;

 

- 605 kërkesave nga gjykatat vetëm për caktime gjyqtarësh / 890 gjyqtarë të caktuar në çështje të veçanta vetëm në 9 muaj!

 

Dua të diskutoj me ju sot nevojat që ka drejtësia në Shqipëri!

 

Janë 3 prioritete të mëdha:

 

Nevojat për standarde!

 

Nevojat për sisteme!

 

     Dhe jo më pak e rëndësishme, nevojat për akses të qytetarëve në drejtësi!

 

Kur i kemi vendosur këto prioritete në strategji i lejuam vetes të jemi ambiciozë!

 

Ashtu siç ishim të gjithë ambiciozë kur i kërkuam mbështetjen qytetarëve për reformën në drejtësi!

 

Jemi të bindur që përtej vështirësive financiare dhe njerëzore, ne mund të punojmë së bashku!

 

Në emër të Këshillit dua të hapim një praktikë të re!

 

Një bashkëpunim proaktiv i cili do t’ua bëjë edhe ju më të lehtë të na mbështesni aty ku nevojat janë më të mëdha dhe prioritetet janë më madhore!

 

Një pakt përmes të cilit ne angazhohemi të bëjmë punën tonë.

 

Çdo detyrë që na ngarkon Kushtetuta dhe ligji!

 

Por jemi të ndërgjegjshëm që nuk i bëjmë dot të gjitha vetëm. Na ndihmoni të bëjmë më shumë!

 

Na ndihmoni të shkojmë përtej sot!

 

Të bëjmë gjëra të qëndrueshme dhe që mbeten!

 

Deri tani kemi gjetur bashkëpunimin e disa partnerëve:

 

Projekti Drejtësi për të gjithë i USAID;

 

EURALIUS;

 

Këshilli Evropës;

 

Disa nga agjencitë e UN;

 

E të tjerë të cilët nuk po i përmend për shkak të kohës, jo të rëndësisë.

 

Unë dhe kolegët e mi u jemi shumë mirënjohës!

 

Kemi ende shumë nevojë për mbështetjen dhe ekspertizën tuaj!

 

Jo për të bërë ato që ne duhet t’i bëjmë vetë!

 

Po për të rritur cilësinë e drejtësisë, veçanërisht aty ky drejtësia është më e ndjeshme!

 

Një sistem gjyqësor më profesional, më efikas dhe me integritet të lartë është një hap më pranë drejt avancimit të Shqipërisë drejt integrimit në familjen Evropiane!

 

 

Sot më datë 04.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime. Më konkretisht Këshilli u njoh me raportin mbi informacionin periodik të Kryetarëve të Gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Prill – Qershor 2019.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi pjesëmarrjen e magjistratëve në programin e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës për periudhën tetor – dhjetor 2019.

Më tej Këshilli miratoi një ndryshim në vendimin nr. 112 datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në lidhje me magjistratët udhëheqës, që do të bëjnë vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat magjistrat, profili gjyqtar, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit, të përcaktuara në ligj.

Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtarit z. Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, si dhe miratoi vendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, të kandidatit z. Elis Dine.