Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Sot më datë 12 shtator 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, dhe me mbështetjen e vyer të projektit “Drejtësi për të Gjithë” të USAID, organizuan ceremoninë e përfundimit të programit trajnues për kancelarët në detyrë. Në të morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi, përfaqësues të Lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, u shpreh se: “Reforma në drejtësi nuk është vetëm për gjyqtarët. Është për të gjithë ne! Është mbi të gjitha për qytetarët! Në këtë kontekst dhe kancelarët e stafi i gjykatave janë pjesë e rëndësishme e suksesit të përpjekjeve të përbashkëta për zbatimin në praktikë të reformës si dhe për ndërtimin e një systemi gjyqësor me integritet; profesionalizëm, efiçencë dhe pavarësi. Organizimi dhe përmbyllja me sukses i programit të thelluar trajnues, i pari i këtij lloji,  për kancelarët në detyrë tregon edhe njëherë se reforma në drejtësi po fillon të japi frytet e saj duke forcuar dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e një gjenerate të re nëpunësish gjyqësor, dhe më specifikisht kancelarëve të gjykatave shqiptare. ”

Në vijim, ceremoninë e përshëndeti gjithashtu edhe Zv. Shefi i Misionit në Detyrë z. Dan Koski dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi.

Zoti Koski ndër të tjera u shpreh se: “Sot jemi këtu për të vlerësuar një tjetër hap përpara drejt zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri: përfundimin me sukses të Programit Veror për Administrimin e Gjykatës. Reforma e gjyqësorit në Shqipëri është një prioritet kyç i Shteteve të Bashkuara. Çdo njeri ka të drejtën e një gjyqi të paanshëm dhe çdo entitet – përfshi edhe kompanitë amerikane – ka të drejtën e një gjykimi të drejtë nga një sistem gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, dhe të bazuar në ligj… Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë punën mbi reformën në drejtësi me njerëzit dhe komunitetet në Shqipëri”.

Eventi i sipërpërmendur u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për 32 kancelarët që ndoqën me rigorozitet programin trajnues të kancelarëve në detyrë. Ky i fundit kishte një përmbajtje prej 9 modulesh e një kohëzgjatje 8 (tetë) javore përkatësisht nga 6 qershor deri në 26 korrik 2019.

Njoftim mbi shpalljen e fituesit në procedurën e ngritjes në detyrë dhe pranimit nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e mesme drejtuese

Në zbatim të nenit 26 të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar; Kreut II pika 28, 31 të VKM nr. 242, datë 18.03.2015 “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, i ndryshuar; Urdhrit nr. 200, datë 16.8.2019 “Mbi hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, për kandidatë nga jashtë shërbimit civil” dhe në përfundim të konkurrimit për vend të lirë pune, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, të ngritjes në detyrë dhe të pranimit nga jashtë shërbimit civil, për kategorinë niveli i mesëm drejtues (të tre procedurat zhvillohen në të njëjtën kohë) ju njoftojmë se për:

8 (tetë) vende, në pozicionin Këshilltar, në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve të Përhershme (Kategoria II-b, Niveli i Mesëm Drejtues), pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor

Kandidatët fitues të procedurës së ngritjes në detyrë janë

1.Znj. Elisa Stamo

2.Znj. Gentiana Biku

3.  Z. Mirjon Brahimllari

Kandidatët fitues të procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil janë:

1.  Znj. Alsma Shehu

2.  Znj. Anisa Brano

3.  Z. Elvis Zaimi

4.  Znj. Marilda Menkshi

5.   Znj. Vjollca Kola

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

Tiranë, më, 02.10.2019

 

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, po merr pjesë në Konferencën e Organizatës Ndërkombëtare për

Administrimin Gjyqësor,  e cila zhvillohet në Nur-Sultan, të Kazakistanit në datat 16-18 shtator 2019. Ajo u ftua si folëse nga Presidenti i organizatës z. Mark Beer, OBE, në panelin e dedikuar: “Mundësive dhe Sfidave të Gjykatave në Botë”.  Znj. Llagami, ndau me pjesëmarrësit përpjekjet dhe sfidat e institucioneve shqiptare, veçanërisht KLGJ-së, në lidhje me zbatimin dhe arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi. Ajo foli për pritshmëritë e publikut, aktivitetin e KLGJ-së dhe gjithë institucioneve shqiptare, që së bashku me mbështetjen e partnerëve evropian e ndërkombëtarë, po përpiqen që këto pritshmëri ti kthejnë në realitet.

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit për pranimin në kategorinë e nivelit të lartë drejtues

Në zbatim të neneve 27 dhe 32, të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, të Kreut III, IV, VIII, IX të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 118, datë 05.03.2014 “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në kategorinë e nivelit të lartë drejtues TND, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, ju njoftojmë se për pozicionin:

Drejtor Departamenti, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative (Nëpunës Civil i Niveli të Lartë Drejtues)Kategoria e pagës I-b

Kandidati i kualifikuar, për të vazhduar fazën e dytë të konkurrimit është:

  1. Ejona Isufaj
  • Testimi me shkrim do të zhvillohet me datë 16.10.2019, ditë e mërkurë, ora 10:00 dhe Intervista e strukturuar me gojë në të njëjtën ditë, ora 12:00 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

Tiranë,me 19.09.2019

Sot, më datë 19.09.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, së bashku me një përfaqësi gjyqtarësh nga gjykatat e Rretheve Gjyqësore, Apeleve dhe anëtarë të KLGJ-së, pritën në takim delegacionin e Komisionit të Venecias, të ngarkuar për dhënien e opinionit për projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, kryesuar nga shefja e divizionit të të drejtave themelore dhe institucioneve demokratike në sekretariatin e Komisionit të Venecias, znj. Silvia Grundman.

Pasi i uroi mirëseardhjen, znj. Llagami i njohu përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, me problematikat e konstatuara nga gjykatat në lidhje me çështjet e pronësisë. Diskutimi u përqëndrua në zgjidhjet e nevojshme si për unifikimin e dokumenteve të hartografisë, regjistrimin e akteve të pronësisë dhe në unifikimin e legjislacionit.

Në fund të takimit, znj. Llagami, shprehu gatishmërinë e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, për të kontribuar me ekspertizën e tyre në ngritjen e një mekanizmi funksional që i  jep zgjidhje konflikteve të pronësisë.

Njoftim mbi verifikimin paraprak për procedurën e pranimit në kategorinë ekzekutive

Në zbatim të nenit 25 të Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar; si dhe të kreut VII, të Vendimit nr. 243, datë 18.03.2015 të Këshillit të Ministrave, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në shërbimin, civil të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, ju njoftojmë se për pozicionin:

Specialist në Sektorin e Burimeve Njerëzore & Trajnimeve për Magjistratët, kategoria e pagës III-b

Kandidatët e kualifikuar, për të vazhduar fazën e dytë të konkurrimit, janë:

  1. Doris Qirjako
  2. Esmir Rringaj
  3. Etleva Vila
  4. Suela Fetau

Testimi me shkrim do të zhvillohet në datën 04.10.2019, ora 10.00, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Intervista e strukturuar me gojë do të zhvillohet më datë 04.10.2019, ora 12.00, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

Tiranë, më 24.09.2019

 

 

 

Shpallja e listës së fituesve

 

Në zbatim të Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar; VKM nr. 243, datë 18.03.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, Kreu IV, pika 14 dhe 22, në përfundim të konkurrimit të hapur sipas procedurës së pranimit në shërbimin civil, për 1 (një) vend, në pozicionin Specialist në Sektorin e Burimeve Njerëzore dhe Trajnimit të Magjistratëve, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju dërgojmë për publikim, listën e fituesvesi më poshtë:

  1. Etleva Vila      71.20 pikë

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

Tiranë, më 07.10.2019

 

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit për ngritjen në detyrë në kategorinë e ulët drejtuese

Në zbatim të nenit 26 të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar; Kreut II pika 13 të VKM nr. 242, datë 18.03.2015 “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”; në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për ngritje në detyrë të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, ju njoftojmë se për pozicionin:

Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore & Trajnimit të Magjistratëve,

kategoria e pagës III-a

Kandidatët e kualifikuar, për të vazhduar fazën e dytë të konkurrimit janë:

  1. Alma Zili
  2. Joana Koçi
  3. Valjona Haxhiraj

Testimi me shkrim do të zhvillohet në datën 04.10.2019 ora 10.00 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Intervista e strukturuar me gojë do të zhvillohet më datë 04.10.2019 ora 12.00 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Konceptoi: Njësia e Burimeve Njerëzore

 

Tiranë, më, 24.09.2019

Sot, më datë 25.09.2019, Kryetarja dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor morën pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të bashkëpunimit te KLGJ-së me Komisionin e Këshillit të Evropës për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ). Në takimin moderuar nga znj. Naureda Llagami dhe Presidenti i CEPEJ, z. Ramin Gurbanov, u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit, si një garanci për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në Shqipëri.

Në fjalën e saj, znj. Llagami u shpreh se Gjykata është në shërbim të qytetarëve, të cilët meritojnë shërbime cilësore nga gjyqtarë profesionistë, me integritet të cilët drejtësinë e kanë vokacion dhe thirrje të brendshme!

Ajo gjithashtu theksoi se vlerësimi objektiv me kritere të qarta, si dhe monitorimi periodik i punës së gjyqtarëve, do garantojnë një sistem gjyqësor të drejtë dhe efikas. Një sistem që vendos qytetarin në qendër dhe që i vendos prioritetet sipas këtyre nevojave dhe pritshmërive.

Presidenti Z. Gurbanov dhe ekspertet e CEPEJ, shpjeguan vlerën e shtuar të kësaj organizate për të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Ata prezantuan veprimtarinë e CEPEJ duke përfshirë metodat dhe mjetet që Komisioni përdor për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë te sistemeve gjyqësore. Tema tepër të rëndësishme diskutimi ishin: vlerësimi i sistemeve gjyqësore, rëndësia e përdorimit të statistikave të qëndrueshme dhe të besueshme për të analizuar këto sisteme dhe për të krijuar politika të shëndosha gjyqësore, drejtësia dixhitale etj.

Sot më datë 26.09.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi, diskutoi dhe miratoi disa vendime.

Më konkretisht, Këshilli, pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe nevojën për të verifikuar disa dokumente, pjesë të dosjes individuale, vendosi të shtyjë me një javë vendimmarrjen mbi statusin individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-KLD.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli caktoi Z. Medi Bici, si përfaqësues i KLGJ-së në përbërje të Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve,  i cili do të jetë njëkohësisht edhe kryetar i tij në përputhje me kërkesat ligjore.

Gjithashtu, Këshilli vendosi të përjashtojë kandidatin Z. Aleks  Nikolli, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, nga procedurat e komandimit, në pozicionin e pedagogut të brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për shkak se cenohet funksionaliteti i gjykatës në të cilën ushtron detyrën.

Sot më datë 30 Shtator 2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, së bashku me një përfaqësi të anëtarëve të KLGJ, u takuan me një delegacionin të kryesuar nga Znj. Veronica Mihailov-Moraru, Sekretare e Shtetit e Republikës së Moldavisë.

Delegacioni i Republikës së Moldavisë do të jetë në Shqipëri për një vizitë studimore disa ditore për të hulumtuar mbi reformën në drejtësi të cilën Shqipëria është duke zbatuar aktualisht, duke u përqendruar veçanërisht në rolin dhe aktivitetin e institucioneve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.  Në këtë kuadër, janë duke u organizuar takime të veçanta me secilin institucion për t’u njohur nga afër me zbatimin e reformës në praktikë.

Kryetarja e KLGJ, znj. Naureda Llagami, bëri një parashtrim mbi nevojën që kishte Shqipëria për reformën në drejtësi, rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në zbatimin e reformës, si dhe një përmbledhje të arritje dhe sfidave me të cilat përballet institucioni që nga momenti i konstituimit të tij. Më pas përfaqësuesit e të dy delegacioneve diskutuan për çështje të veçanta në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave.

Në përbërje të delegacionit të Moldavisë kishte përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, të Parlamentit, të Zyrës së Presidentit, Këshillit të Lartë të Magjistraturës, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Moldavi, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Vizita u organizua si pjesë e bashkëpunimit të USAID, Projektit Drejtësi për të Gjithë (JUST) dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

Sot, më datë 01.10.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, mori pjesë në tryezën e konsultimit me temë: “Përmirësimi i bazës së të dhënave për çështjet e dhunës në familje-mjet për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës”. Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, me mbështetjen teknike të UNDP në kuadër të zbatimit të projektit “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri” 2019-2021, financuar nga Qeveria e Suedisë.

Tryeza u përshëndet gjithashtu nga ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Mira Rakacolli, ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, zj. Elsa Håstad, si dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP Shqipëri, znj. Limya Eltayeb.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Llagami u shpreh se aksesi në drejtësi veçanërisht për gratë, fëmijët apo edhe të moshuarit është po aq i rëndësishëm sa në shëndetësi dhe shërbime sociale. Duke vënë theksin tek rëndësia që ka gjykata në të gjithë sistemin e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve nga dhuna në familje, znj. Llagami tha se ka ardhur koha që institucionet të marrin më shumë përgjegjësi.

Duke i parë gjykatat si pjesë e parandalimit, edukimit, informimit dhe bashkëpunimit institucional, znj. Llagami theksoi se krijimi i një baze të dhënash nëpër gjykata, do na japë mundësinë të kuptojmë jo vetëm trendin e fenomenit, por edhe nevojat e sistemit për të adresuar këtë çështje me përparësi.

Në fund të fjalës së saj, znj. Llagami shprehu mbështetjen e saj të plotë në lidhje me nismën e propozuar, për përmirësimin e bazës së të dhënave për çështjet e dhunës në familje, me qëllim parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës.