Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2017 kld

2017 kld

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur me vëmendje informacionet e transmetuara në median e shkruar dhe vizive mbi lirimin nga paraburgimi të shtetasit R.A të hetuar, në masë sigurie arrest me burg, për mbi 5 tonë lëndë narkotike në fshatin Llakatund, Vlorë, duke theksuar se vendimi gjyqësor për lirimin e tij, dhënë nga gjyqtari A.B. i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka probleme serioze me ligjin.

Ne këto kushte, pasi u shqyrtuan paraprakisht të dhënat e transmetuara në media, si dhe kuadri ligjor në fuqi, konkretisht dispozitat e Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, është çmuar se ka vend për verifikimin e rastit në fjalë. Inspektorati i KLD-së, ka filluar verifikimit për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit R.A lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi.

Në vijimësi KLD, nisur edhe nga ndjeshmëria e madhe që ka çështja, do të bëjë publike rezultatet e dala nga monitorimi.

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 16.10.2017, mbledhjen plenare, e cila nisi me njohjen e anëtarëve, mbi informacionin e përditësuar të përgatitur nga Grupi i Punës ngritur me vendim të KLD-së, në mbështetje të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve. Pasi u njohën me veprimtarinë e kryer nga Grupi i Punës prej datës 02.10.2017, që përkon me mbledhjen e fundit të KLD-së, anëtarët e Këshillit miratuan në parim disa akte të rëndësishme.

Më konkretisht nga Këshilli u miratua:  

  1. Forma standarde e Raportit “Për analizimin e vlerësimit profesional të subjektit të rivlerësimit” që hartohet nga Inspektorati i KLD-së;
  2. Rregullat për përzgjedhjen me short të 5 dosjeve për analizimin e aftësive profesionale nga Inspektorati i KLD-së në procesin e rivlerësimit kalimtar të subjekteve të rivlerësimit;
  3. Kalendari për organizimin e shorteve dhe veprimeve për përfundimin nga Inspektorati të raporteve për analizimin e aftësive profesionale të 35 subjekteve me përparësi në procesin e rivlerësimit kalimtar.

Në vijim Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit të magjistratit Granit Qypi, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për gjashtë gjyqtarë.

Me përfundimin e akteve të Vlerësimit në mbledhjen plenare të datës 16.10.2017, Këshilli konstatoi përfundimin e vlerësimit profesional për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë për vitet 2007-2009, si dhe urdhëroi hartimin e raportit sipas nenit 171 pika 1 dhe 98 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”.

Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 17.11.2017, mbledhjen plenare, e cila nisi pezullimin nga ushtrimi i detyrës të gjyqtarit Sh.M. pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, për shkak të dhënies së masës së sigurimit personal ndaj tij “Arrest në burg”, me vendimin nr. 417 datë 12.11.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vendosi me shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, Q.H, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Në vijim Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit, të dy magjistrateve.

Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtari

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 18.01.2018, mbledhjen plenare, e cila nisi me  shqyrtimin e raportit mbi situatën e çështjeve gjyqësore për dhunën në familje. Kontrollit iu nënshtruan 28 gjykata të vendit, nga të cilat 6 gjykata të apeleve dhe 22 gjykata të shkallës së parë. Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit miratuan Raportin dhe rekomandimet përkatëse.

Mbledhja vijoi me deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit për dy gjyqtarë, konkretisht: më 01.01.2018 të gjyqtares Fiqirete Mullaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe më 23.01.2018 të gjyqtarit Agim Ferizaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e ministres së Drejtësisë, për problematikën e mungesës së gjyqtarëve në disa gjykata. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët vendosën që Inspektorati i KLD-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, pas mbledhjes së të dhënave statistikore nga gjykatat, të propozojnë pranë KLD-së, zgjidhjet përkatëse për këtë problematikë sa më parë. 

Këshilli, diskutoi mbi shkresën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda drejtuar KLD-së, ku njoftohej lidhur me regjistrimin e emrave të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës të cilëve iu atribuon kryerjen e veprës penale. Inspektorati njoftoi se ka filluar procedimi disiplinor për tre gjyqtarët e Apelit Durrës. KLD i kërkoi Inspektoratit të bashkëpunojë me Prokurorinë, nëse ka kërkesa të veçanta në lidhje me këtë çështje, duke i ofruar mbështetje maksimale sipas ligjit.

Gjithashtu, Këshilli vendosi shqyrtimin e të gjitha procedimeve disiplinore të mbartura deri tani.

Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtari

Faqe 3 nga 3