Njoftim 28.10.2016

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot me datë 28.10.2016, një mbledhje të jashtëzakonshme me rend dite shqyrtimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, për shkarkimin nga detyra si kryetarit i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të z. G.B. Pas diskutimeve, anëtarët e  Këshillit, duke marrë në konsideratë situatën e krijuar nga faktet e bëra publike në media lidhur me veprimtarinë e gjyqtarit z. G.B, me votim unanim vendosën shkarkimin e tij nga funksioni drejtues i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Njëkohësisht, anëtarët e Këshillit vendosën edhe pezullimin e tij nga ushtrimi i detyrës së gjyqtarit deri në marrjen e vendimit gjyqësor të formës së prerë për çështjen penale të ngritur në ngarkim të tij.

Në vijim, Këshilli caktoi gjyqtaren zj. Albina Spaha, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetares së kësaj gjykate si dhe shpalli vendin vakant, duke hapur konkurrimin për pozicionin e kryetarit të kësaj gjykate. 

Gjithashtu, Këshilli vendosi që Inspektorati i KLD-së dhe i Ministrisë së Drejtësisë të ndërmarrin bashkarisht një inspektim për verifikimin e veprimtarisë së gjyqtarit të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër G.B dhe të gjyqtares B.Ç. për shkelje të rregullave të etikës, si dhe caktoi një anëtar të tij, për të verifikuar edhe sjelljen e inspektorit të KLD i cili ishte ngarkuar për trajtimin e ankesës së qytetarit dhe që përmendet në rregjistrimet audio të bëra publike në media.