Njoftim 16.09.2016

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 16.09.2016, mbledhjen plenare, e cila nisi me miratimin e kërkesës së gjyqtares Diamela Goxha për revokimin e lejes për të shërbyer si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e saj në gjykatën ku është emëruar nga KLD. Në vijim të mbledhjes, Këshilli miratoi kërkesën për autorizimin për mësimdhënie të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj.

Në përputhje me rendin e ditës,  mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarit z. Ervin Trashi, në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Këshilli vendosi konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, z. Ded Deda, njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, dhe delegimin e gjyqtares Ornela Naqellari, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të kësaj gjykate. Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe një vend vakant për një gjyqtar pranë kësaj Gjykate.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli në zbatim të Vendimit të të tij nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve", miratoi projket-aktet e vlerësimit të përgatitura nga Kryeinspektori për gjyqtarin Klodian Kurushi, të Gjykatë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për gjyqtarin Taulant Tafa, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Këshilli vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, të z. Sulejman Kurti.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.